Gjilani në aksion të përgjithshëm për pastrimin e ambientit
Gjilan, 18 qershor – Komuna e Gjilanit në muajin qershor, karshi ditëve të lirisë, ka organizuar edhe pastrimin e përgjithshëm të ambientit, hapësirave publike, trotuareve dhe rrugëve.
Sot në të gjitha shkollat e komunës së Gjilanit, në institucionet shëndetësore dhe institucionet tjera publike, aksionit iu kanë bashkangjitur mijëra nxënës, personel arsimor, shëndetësor dhe qytetarë të shumtë, që ambienti në këto institucione publike të jetë i pastër dhe i mirëmbajtur.
Bardhyl Syla, drejtor i Administratës së Përgjithshme dhe kryesues i grupit punues, ka thënë se aktivitete për pastrim të ambientit janë të vazhdueshme gjatë gjithë këtij muaji.
“Sot aksioni për pastrim të ambientit është zgjeruar në të gjitha institucionet publike. Janë mobilizuar të gjitha shkollat fillore, të mesme, institucionet parashkollore, ato shëndetësore dhe administratës komunale. Aksioni për pastrim të ambientit do të vazhdojë edhe ditët në vijim, deri në fund të këtij muaji. Apelojmë që të gjithë banorët në fshatra dhe lagjet në qytet, që me kujdesin maksimal t’i përkushtohen ambientit, pastrimit dhe ruajtjes së tij çdo ditë. Ajri i pastër dhe mirëmbajtja e hapësirave publike duhet të jetë kulturë e mirëmbajtjes dhe kujdesit, njejtë sikur për oborrin dhe shtëpinë e secilit prej nesh”, tha mes tjerash drejtori Syla.