Gjilani ka tri projekte për aplikim në Fondin Kombëtar të Efiçiencës së Energjisë
Në deklaratën për media, drejtoresha e Zhvillimit Ekonomik, Valbona Tahiri, ka thënë se Komuna e Gjilanit është informuar për masat që ka ndërmarrë në nivel të vendit Fondi Kombëtar i Efiçiencës së Energjisë dhe Gjilani bazuar në planin komunal të veprimit për efiçiencë që është miratuar vitin e kaluar në Kuvendin e Komunës.
“Komuna e Gjilanit do t’i dorëzojë projektetet e efiçiencës për tri shkolla që janë pjesë e këtij plani dhe gjithashtu edhe me ndriçimin publik. Kushtet janë shumë të favorshme dhe ky fond është krijuar nga Bashkimi Evropian, Banka Botërore dhe Qeveria e Kosovës dhe afati për aplikim është deri më 30 qershor. Komuna e Gjilanit që edhe më tutje të ul shpenzimet duke rritur kursimin, në mënyrë që kursimet të shndërrohen në projekte për qytetarët”, ka thënë Tahiri, pas takimit.
Ndërsa, drejtori Ekzekutiv i Fondit Kombëtar të Efiçiencës së Energjisë, Admir Shala, ka njoftuar se këto vizita nëpër komuna janë me qëllim të inkurajimit të dorëzimit të projekteve për të orientuar sa më shumë angazhimin dhe përkushtimin në efiçeincë të energjisë.
“Inkurajojmë të gjitha institucionet në nivelin lokal që të aplikojnë në këto fonde të cilat janë mjete të Bashkimit Evropian, Bankës Botërore dhe Qeverisë së Kosovës. Është target i përbashkët që sa më shumë shkollat, institucionet shëndetësore dhe komunale, t’i kemi efiçiente. Është mirë që Gjilani ka konfirmuar sot në takim të përbashkët që ka tre projekte të gatshme për aplikim”, ka deklaruar Shala.