Gjermanisë i kërkohet të mos i fik centralet bërthamore
Berlin, 14 tetor - Një grup prej 25 intelektualësh, ambientalistësh, shkencëtarësh dhe inxhinierësh i kanë dërguar një letër të hapur Qeverisë gjermane që të vazhdojë të mbajë në punë reaktorët e saj bërthamorë për prodhimin e energjisë, duke shtyrë përkohësisht planet për mbylljen e tyre.
Aktualisht, Gjermania ka në punë gjashtë reaktorë të tillë që prodhojnë rreth 12 për qind të energjisë totale që konsumon vendi. Procesi i mbylljes së reaktorëve u përshpejtua pas tragjedisë së Fukushimas në Japoni dhe Qeveria gjermane planifikon që edhe gjashtë reaktorët e mbetur të mbyllen brenda vitit të ardhshëm.
Por, në letrën e hapur të publikuar nga “Die Welt”, shkencëtarët, inxhinierët dhe ambientalistët i kërkojnë qeverisë që të tërhiqet nga ky vendim, duke deklaruar se mbyllja e tyre do të rriste me të paktën dy herë emëtimet e karbonit në vend dhe në Europë.
Letra ka marrë shkas nga kriza aktuale energjitike, rritja e fortë e kërkesës dhe mungesa e ofertës. Sipas tyre, këta faktorë do të çojnë në riaktivizimin e termocentraleve me qymyr, apo naftë duke shtuar emëtimet e karbonit në atmosferë me të paktën 60 mijë tonë në vit.
“Me këtë sasi, Gjermania nuk do të kapë dot objektivin e vendosur për klimën në vitin 2030, për të shkurtuar emëtimet e karbonit me 65 për qind dhe çuar ato në nivelet e viteve 1990”, thonë ata.
Autorët kanë shpresë se qeveria e re që do të formohet me drejtues socialdemokratët do të heqë dorë nga ky plan dhe do të vijojë të mbajë në punë centralet bërthamore.
Gjermania aktualisht prodhon pjesën më të madhe të energjisë së saj nga era dhe gazi, që emëton pak karbon në atmosferë. Objektivi është që brenda 2022 e gjithë energjia të sigurohet vetëm nga këto dy burime dhe në një afat 7 deri në 10 vjeçar vetëm nga burome të rinovueshme, si era dhe energjia diellore.