Gjermania, 200 miliardë euro mbrojtje ekonomike për krizen energjetike
Berlin, 30 shtator - Berlini njoftoi një program masiv ndihme qeveritare për kapërcimin e krizës energjetike, lëvizje kjo që u përshëndet menjëherë nga krerët e industrisë. Gjermania, një ‘superfuqi industriale’ e botës, është sot nën presion.
Avantazhi i saj afatgjatë i energjisë së lirë ruse ka përfunduar, çmimet e energjisë janë në rritje dhe kompanitë po reduktojnë prodhimin ose po largohen.
Grupi industrial me shumë ndikim, BDI paralajmëroi se “zemra e industrisë është aktualisht nën kërcënim”, dhe ekzekutivi gjerman po përpiqet që ta zbusë një ngërç të tillë.
“Rusia po ndërmerr një luftë energjetike ndaj Europës. Ne do të bëjmë c`është e mundur që të ruajmë substancën ekonomike të vendit tonë”- tha Scholz.
Plan i qeverisë gjermane i vjen në ndihmë si industrisë, ashtu edhe familjeve. Me qëllimin të shmanget shkelja e “frenës famëkeqe të borxhit”, apo kufiri kushtetues për huamarrjen, qeveria, shtoi kancelari, po riaktivizon fondin e stabilizimit ekonomik, i cili është fuqizuar mjaftueshëm gjatë krizës COVID-19.
“Fondi i stabilizimit ekonomik është një instrument krizash që e ka dëshmuar tashmë vlerën e tij gjatë krizës së koronavirusit, sic e tregoi dhe shpëtimi i Lufthansës “, u shpreh zëdhënësi i qeverisë, Dennis Rohde.
Sipas planit, një sasi e caktuar energjie elektrike për konsumatorët dhe kompanitë do të subvencionohet.
Do të merren masa për të kufizuar dhe impaktin e çmimit të lartë të gazit, ndërsa norma e tatimit mbi vlerën e shtuar për gazin dhe ngrohjen qendrore do të mbetet në 7% deri në pranverën e vitit 2024.