Gjermanët, ultimatum Shqipërisë për linjën energjetike me Kosovën
Tiranë, 14 tetor - Banka gjermane KFW paralajmëron qeverinë shqiptare të mos anulojë në mënyrë të njëanshme tenderin e linjës energjetike me Kosovën, pasi do të tërhiqet menjëherë nga financimi i projektit.
Mosmarrëveshjet mes palëve kanë lindur prej më shumë se një viti, kur qeveria shqiptare, pas zhvillimit të tenderit për këtë projekt, tentoi të zëvendësonte fituesin, për të shpallur fituese kompaninë e renditur e dyta.
Por ky veprim i qeverisë hasi në bllokadën e KFW-së. Që nga ajo kohë, palët janë përfshirë në një konflikt, i dokumentuar përmes letërkëmbimeve të shumta mes Ministrisë së Financave dhe bankës gjermane.
Në qershor të këtij viti, banka i bëri të ditur qeverisë se do të pranonte anulimin e tenderit, vetëm nëse plotësoheshin disa kushte, të cilat qeveria ka dështuar ti përmbushë, siç tregon kjo letër zyrtare më datë 18 shtator, që zotërohet nga Top Channel.
Duke shqyrtuar kërkesën tuaj për anulimin e tenderit në lotin 1, ne na vjen keq që na duhet të kundërshtojmë anulimin e tij. Kjo për shkak se agjencitë zbatuese kanë dështuar të japin arsyet e vlefshme për këtë anulim, thuhet në letrën zyrtare të KFW.
Më tej, banka gjermane paralajmëron se, nëse qeveria do të vendosë anulimin e njëanshëm të tenderit, kjo do të përbënte një shkelje të kontratës dhe në këtë pikë, ajo rezervon të drejtën të tërhiqet nga financimi.
Banka thotë se do të vazhdojë financimin e projektit, nëse qeveria anulon tenderin për lotin 1, vetëm nëse përmbushen disa kushte.
Së pari, tenderi i ri të ndahet në dy pjesë, ku një kontratë të mbulojë punimet në Shqipëri dhe tjetra ato në Kosovë.
Kushti i dytë është që tenderi i ri të jetë në përputhje me procedurat e paracaktuara të bankës dhe të ndjekë të njëjtat standarde të larta teknike, si ai i mëparshmi.
Ndërsa kushti i fundit i vendosur është ai që qeveria shqiptare të pranojë rezultatet e tenderit të ri, i cili duhet të zhvillohet sipas standardeve të KFVV-së.
Saga e ndërtimit të linjës vazhdon prej më shumë se një viti. Tenderi për linjën u zhvillua në mars të vitit të kaluar, ku fituese rezultoi kompania kroate Dalekovod.
Por qeveria shqiptare e bllokoi fillimin e punimeve, duke u shprehur se çmimi i ofruar ishte rreth 8 milionë euro më i lartë se oferta e dytë, duke kërkuar ritenderimin.
Gjithçka nisi pasi qeveria shqiptare ka ndryshuar gjatë rrugës fituesit e tenderit për linjën e interkonjeksionit mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Në një shkrim të saj, e përditshmja e Prishtinës Zëri, në prillin e këtij viti, theksonte se qeveria shqiptare ka prishur tenderin me kompaninë kroate Dalekovod në favor të boshnjakes Energo Invest.
Sipas Zërit, lotues për këtë manovër ka qenë Damir Fazlliç, i cili ka lidhje me qeverinë shqiptare dhe ka bërë biznes me biznesmenin e njohur serb Vuk Jamoviç, i cili përfitonte nga kjo çështje, pasi Serbia do të mbante monopolin e furnizimit me energji të Shqipërisë dhe Kosovës.