Gjatë vitit 2019 125 ditë ishin me të reshura atmoferike
Prishtinë, 20 mars - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Statistikat e Ujërave në Kosovë” për vitet 2018-2019.
Ky është publikimi i tretë me radhë i Statistikave të Ujërave, i publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.
Ky publikim ofron të dhëna statistikore gjithëpërfshirëse të burimeve të ujërave në Kosovë dhe synon të kontribuojë në krijimin e një informacioni të qëndrueshëm mbi gjendjen e ujërave në Kosovë. Realizimi i këtij publikimi bëhet çdo dy vjet.
Burim kryesor i ujërave në Kosovë janë të reshurat atmosferike. Kështu, në vitin 2019 gjithsej numri i ditëve me të reshura atmoferike ishte 125, që janë 25 ditë më pak se në vitin 2018 (që ishin 150 ditë).
Kurse, reshjet mesatare në vit ishin 692.40 mm/vit në vitin 2019, krahasuar me 692.40 mm/vit në vitin 2018.
Ndërkaq, temparaturat maksimale/minimale të ajrit në Prishtinë ishin 31.6°C/-6°C në vitin 2019, krahasuar me 29.8°C/-3.0°C në vitin 2018.
Të dhënat e dala nga ky publikim tregojnë se në vitin 2018 rreth 86.31% e popullsisë së Kosovës është furnizuar më ujë të pijes nëpërmjet sistemeve publike, të menaxhuara nga Kompanitë Rajonale të Ujit.
Ndërsa, 13.69% e popullsisë nuk ka pasur qasje fare në shërbime të ujësjellësit publik.
Furnizimi me ujë të pijshëm i ekonomive familjare ka pësuar ndryshime nga viti në vit.
Krahasuar vitin 2017 (që ishte 49.194 milionë m³ ujë) me vitin 2018 (48.300 milionë m³ ujë), furnizimi me ujë të pijshëm ka pasur një rënie të lehtë prej (-2%).
Sasia ujit të shpenzuar m³ për banor nga ekonomitë familjare të kyqyra në sistemin publik, në vitin 2018 ishte: 2.60 m³ në muaj dhe 0.09 m³ në ditë. Kurse llogaritur në litra ishte: 86.67 litra/ditë për banor.
Ndërkaq, uji i shpenzuar për ujitje me sistem në bujqësi, në vitin 2019 ishte 52.60 milionë m³/vit.
Ndërsa, sasia e ujit të përdorur për ujitje në bujqësi nga puset për vitin 2019 ishte 18.44 milionë m³/vit.