Gjatë TM2, sasia e energjisë elektrike e prodhuar në termocentrale ishte 1 512 GWh
Prishtinë, 14 gusht - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Bilancin i Energjisë” për TM2 2020.
Në këtë publikim janë prezantuar të dhënat mbi prodhimin e thëngjillit, të dhënat për prodhimin dhe konsumin e energjisë, importin dhe eksportin e energjisë, si dhe importin dhe eksportin e energjentëve të tjerë.
Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2020 (TM2 2020) vlera e gjithmbarshme e prodhimit të thëngjillit ishte rreth 1.96 milion ton.
Kurse, sasia bruto e energjisë elektrike, e prodhuar në termocentrale ishte 1 512.0 GWh, dhe në hidrocentrale është rreth 100.2 GWh.
Sa u përket vlerave të energjisë së importuar, respektivisht të eksportuar, gjatë tremujorit të dytë të vitit 2020, Kosova ka importuar 509.4 GWh energji elektrike, derisa ka eksportuar 643.1 GWh energji elektrike.
Ndërkaq, sasia e energjisë elektrike për konsum, në këtë tremujor, ishte 1 043.8 GWh energji elektrike. Në raport me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM2 2019), sasia e energjisë elektrike e konsumuar është rritur për 0.4%.