22 Dhjetor 2024

Gazpromi rus prek edhe Shqipërinë

Tiranë, 6 tetor - Kompanitë ruse të gazit dhe naftës po intensifikojnë përpjekjet për t’u shtrirë edhe në Shqipëri. Pas disa shenjave të dhëna në forma sporadike për interes të mundshëm, duket se gjigandët rusë e kanë marrë seriozisht shtrirjen e aseteve të tyre edhe në Shqipëri, nisur nga pozicioni i duhur gjeografik.

Gazeta “Shqip” mëson detaje të disa lëvizjeve të bëra kohët e fundit nga pala ruse, duke nisur me projektin e shumëpërfolur të burimeve të naftës dhe gazit në liqenin e Shkodrës. Kërkimet e fundit kanë dalë në konkluzionin se zona e liqenit është e pasur me gaz, madje ka zëra se kanë filluar punimet.

Ky projekt i takon kompanisë “Gazprom”, e cila ka kryer një studim të holluar mbi pasuritë e naftës dhe gazit në Mal të Zi dhe rajonet përreth kufirit, në Bosnjë dhe Shqipëri. Të dhënat për vendin tonë kanë qenë të pakta, dhe zyrtarët rusë të kompanisë nuk kanë paraqitur detaje, duke u mjaftuar me faktin se zona në liqenin e Shkodrës ka potencial.

Kompania tjetër, e cila prej më shumë se një viti studion tregun shqiptar të shpërndarjes dhe shitjes së naftës me shumicë dhe pakicë, “Lukoil”, është duke shikuar mundësinë e gjetjes së një partneri ose hapjen e një dege të re, duke përdorur rrjetin ekzistues të ndonjë shoqërie në vështirësi financiare.

Zhvillimet e terrenit rus në Shqipëri pritet të marrin rezultate interesante, në rast se zv.ministri i Jashtëm rus konkretizon planin për të vizituar Tiranën. Burime konfidenciale tregojnë se shumë shpejt vendin tonë do ta vizitojë (ndoshta në datat 19-22 tetor) numri dy i diplomacisë ruse, ku objekti i takimeve do të jenë projektet në fushën energjetike. Megjithatë, asgjë nuk konfirmohet zyrtarisht, ndërsa nga Ministria jonë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës është e vështirë të marrësh ndonjë informacion, për faktin e ndryshimeve strukturore dhe zëvendësimeve.

Pas kërkimeve të shumta dhe intensive, drejtuesit e kompanisë ruse, “Gazprom”, kanë dalë në përfundimin se në zonën e Crmnica të Malit të Zi, pranë liqenit të Shkodrës, ka rezerva të konsiderueshme nafte dhe gazi. Pas këtij zbulimi, kompania është e interesuar të marrë pjesë në procedurën e koncesionit që pritet të hapet në tetor nga qeveria e Malit të Zi.

Ekspertët e “Gazprom” disponojnë prova dhe kanë arsye të mendojnë se ka pasuri të mëdha nafte edhe në disa zona brenda kufijve me Shqipërinë dhe Bosnjën, duke paralajmëruar një shtrirje të punimeve brenda kufijve të këtyre vendeve, pasi të nisin operacionet në dy pikat e identifikuara.

Agjenci të ndryshme lajmesh u referohen disa burimeve pranë kompanisë ruse, sipas të cilave ka nisur eksplorimi në pjesën e Shqipërisë, pa specifikuar qartë vendndodhjen, ndërsa në Bosnjë-Hercegovinë do të nisë së shpejti. Për Bosnjën, rusët vlerësojnë se 4 burimet e naftës kanë një vlerë monetare tepër të lartë, rreth 27 miliardë dollarë dhe mendohet se e njëjta vlerë do të zbulohet edhe në Mal të Zi, në zonën afër liqenit të Shkodrës.

Ajo që dihet me siguri është fakti se tregu i karburanteve në vend ka nisur të lëvizë me kuptimin e ndryshimit të aseteve dhe administratorëve. Kryesisht kompani greke dhe turke janë duke vlerësuar tregun dhe mundësinë e zgjerimit apo reduktimit të pikave të shitjes.

Mësohet se në Ministrinë e Ekonomisë dhe Energjetikës janë zhvilluar disa takime me kompanitë greke të naftës, ku thelbi i diskutimit kanë qenë depozitat e naftës dhe gazit. Aktualisht në vend operojnë mbi 1100 pika të shitjes me pakicë të naftës, benzinës dhe gazit, si dhe rreth 40 shoqëri të importit të karburanteve.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)