Gazpromi rus dënohet 7.6 miliardë dollarë
Varshavë, 8 tetor - Rregullatori anti-monopol polak, UOKiK, ka dënuar kompaninë shtetërorë ruse Gazprom dhe ka urdhëruar partnerët evropianë të Gazprom, që në afat prej 30 ditësh të shkëpusin marrëveshjen për financimin e projektit të gazsjellësit “Rrjedha veriore-2 (Nord Stream-2)”.
Përveç kërkesës për ndërprerjen e financimit të projektit, Rregullatori anti-monopol polak e ka gjobitur Gazpromin me 7.6 miliardë dollarë, ndërsa partnerët e saj evropianë me 61 milionë dollarë.
Pas njoftimit për dënimin e Gazprom dhe kërkesën për ndërprerjen e financimit të gazsjellësit “Rrjedha Veriore-2”, aksionet e Gazprom në Bursën e Moskës ranë për 1.6%.
Shumë ekspertë të ekonomisë gazsjellësin “Rrjedha Veriore-2”, e quajnë projekt politik të Rusisë, për të rritë ndikimin e saj në shtetet e Bashkimit Evropian, përmes rritjes së varshmërisë ndaj gazit rus.
Për këtë arsye kundër këtij projekti tani më kanë dalë hapur SHBA, Polonia, Letonia, Lituania dhe Ukraina. Përpos kundërshtimit të gazsjellësit “Rrjedha Veriore-2”, në Evropë janë duke u realizuar edhe disa projekte, si gazsjellësi “TAP” (i cili kalon përmes Shqipërisë), si dhe krijimi i teknologjisë për kthimin e gazit të lëngët në gjendje të gaztë, projekte të cilat do të zvogëlonin varshmërinë e Evropës ndaj gazit rus.
Kohëve të fundit edhe në Gjermani ka zëra që janë kundër vazhdimit të projektit të gazsjellësit “Rrjedha Veriore-2”. Fredrich Merz, një nga kandidatët për të drejtuar partinë Bashkimi Demokristian-CDU, si dhe një nga pasardhësit e mundshëm të Angela Merkel, ka bërë thirrje që për dy vite të ndërpritet projekti i gazsjellësit, si kundërpërgjigje ndaj helmimit të liderit opozitarë rus Navalny.
Për pezullimin e gazsjellësit është deklaruar edhe ministri i jashtëm gjerman, Heiko Maas dhe ministri i mbrojtjes Annagret Kramp-Karenbauer.
Annagret Kramp-Karenbauer, e cila për momentin është edhe drejtuese e partisë më të madhe gjermane, CDU, është shprehur se Qeveria gjermane do ta vendos në rend të ditës projektin e gazsjellësit “Rrjedha Veriore-2”, si kundërpërgjigje ndaj helmimit të Navalny.
Në lidhje me gazsjellësin “Rrjedha Veriore-2”, Karenbauer, është shprehur se për të, me më rëndësi është siguria e shteteve të Evropës Lindore dhe Ukrainës sesa projekti i gazsjellësit “Rrjedha Veriore-2” dhe se asnjëherë nuk ka qenë entuziaste e këtij projekti.