Gati pakon tenderuese për Kosovën e re
Ministria e Zhvillimit Ekonomik, ka përgatitur tërë dokumentacionin e nevojshëm sa i përket shpalljes së tenderit për ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike në Kosovë. Udhëheqësi i projektit, Lorik Haxhiu, thotë se tani presin vetëm marrjen e pëlqimit nga Banka Botërore, në mënyrë që ta shpallim këtë kërkesë para investitorëve të interesuar.
Ne e kemi të gatshme kërkesën për propozime me të gjitha marrëveshjet dhe në ditën kur ne marrim pëlqimin nga Banka Botërore, atëherë do të thirret Komiteti Drejtues i projektit, do të aprovohet pakoja dhe do të shpallet në atë ditë. Shpresoj se kjo do të ndodhë ditëve në vijim, jo më shumë se një javë nga sot, tha Haxhiu.
Ministria ka punuar gjatë muajit shkurt në finalizimin e pakos së tenderit. Ajo përmban tri elemente kryesore: ndërtimin e termocentralit të ri prej 600 megavat orësh energji, rehabilitimin e termocentralit Kosova B dhe zhvillimin e minierës në Sibovc. Haxhiu sqaron se pas shpalljes së tenderit, kompanitë kanë afat prej shtatë muajsh të përgatisin ofertat e tyre, kurse qeveria brenda afatit dymujor duhet të bëjë vlerësimin e tyre. më pas do të bëhet përmbyllja financiare e projektit dhe kompania e përzgjedhur mund të fillojë realizimin e projektit.
Ne këtë vit do ta shpallim fituesin dhe vitin e ardhshëm mund të fillojë ndërtimi i termocentralit. Nëse flasim për vlerën e projektit ne vlerësojmë se mund të jetë rreth 1.6 miliard euro, kjo nënkupton ndërtimin e termocentralit deri në 600 megavat, nënkupton koston e rehabilitimit të Kosovës B. Vetëm komponenta e rehabilitimit të Kosovës B, sipas disa studimeve që janë kryer vitin e fundit nga kompanitë konsulente të paguara nga USAID-i, kostoja e rehabilitimit të Kosovës B mund të sillet rreth 450 milionë euro, tha ai.
Në garë janë katër konsorciume ndërkombëtare, të cilat i kanë përmbushur kriteret për ndërtimin e termocentralit: Konsorciumi Adani Poëer/PT Adani Global nga India dhe Indonezia, konsorciumi AES Electric lid/ Demir Export A.S nga SHBA-të dhe Turqia, Park Holding nga Turqia dhe konsorciumi PPC Contour Global LLP nga Greqia dhe Britania.(RK)