Gashi takoi ndihmësin e zëvendës sekretarit amerikan për mjedis
Prishtinë, 25 prill - Në konferencën që po mbahet në Stockholm të Suedisë për Zhvillim të Qëndrueshëm, Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi, sot, është takuar me ndihmësin e zëvendës sekretarit të shtetit amerikan për Mjedis dhe Oqeane, Lawrence Gumbiner.
Në këtë takim njoftues, Ministri Gashi dhe Z. Gumbiner biseduan rreth qëllimeve të kësaj konference, e cila është edhe pararendëse e konferencës së Rio+20, për implementimin e politikave botërore për zhvillim të qëndrueshëm.
Sa i përket Konferencës së Rios, Kosova është duke advokuar pjesëmarrjen e saj te përfaqësuesit e ndryshëm të cilët po marrin pjesë në këtë konferencë.
Gumbiner përmendi edhe mundësinë e ndihmës së shtetit amerikan për realizimin e projekteve të cilat kanë të bëjnë me uljen e kostos për prodhimin e energjisë alternative, duke pasur parasysh edhe qëllimin e Kosovës për uljen e prodhimit të energjisë nga thëngjilli.
Në ceremoninë e mbylljes së konferencës, në sesionin e veçantë të ministrave pjesëmarrës, mori pjesë edhe kryeministri Kinez Wen Jiabo.
Edhe në këtë konferencë Kosova është paraqitur pa fusnotë.