26 Dhjetor 2024

GAP kërkon treg të përbashkët të energjisë Kosovë - Shqipëri

Prishtinë, 23 dhjetor - Instituti GAP vlerëson së Kosova dhe Shqipëria kanë më shumë arsye të intensifikojnë bashkëpunimin ndërmjet vete në fushën e energjisë.

Sistemet e tyre sipas GAP janë komplementare apo plotësuese për njëra tjetrën dhe bashkëpunimi ndërmjet tyre mund të sjellë shumë përmirësime në efiçiencë, optimizim dhe ekonomizim më të mirë të përdorimit të burimeve energjetike.

Në deklaratën e përbashkët për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë përcaktohen edhe çështjet energjetike.

Mirëpo, ky sipas GAP nuk është dokumenti i parë ku shprehet interesimi i të dy vendeve për bashkëpunim ndërmjet vete dhe për mundësinë e krijimit të një tregu të përbashkët energjetik.

Në njërën anë, Qeveria e Shqipërisë ka miratuar Strategjinë Kombëtare të Energjisë 2013-2022, në të cilën shpreh interesimin për krijimin e një tregu të përbashkët; në anën tjetër një gjë të tillë e bën edhe draft Strategjia e Energjisë së Republikës së Kosovës 2013-2022, e cila është aprovuar në Qeveri, por nuk ka arritur të aprovohet në Kuvend.

Mirëpo, përveç mundësive të përfitimit nga bashkëpunimi energjetik i të dy vendeve, ekziston edhe rreziku i interpretimit shumë të ngushtë të idesë së eksploatimit të avantazheve krahasuese të të dy vendeve.

Ky rrezik sipas GAP vjen prej mendësisë që Kosova duhet të ndërton kapacitete të mëdha energjetike të bazuara në linjit për faktin që ato kapacitete do të komplementonin kapacitetet hidrike të Shqipërisë.

Instituti GAP përkrah fuqishëm integrimin e sistemeve të të dy vendeve apo edhe krijimin e një tregu të përbashkët të energjisë, por kundërshton idenë e eksploatimit të linjitit për hir të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

Kjo vjen pas faktorizimit të efekteve negative të eksternaliteteve të prodhimit të energjisë nga burimet e linjitit, si ndotja e ambientit nga pluhuri dhe gazrat, ndikimi negativ i ndotjes në shëndetin publik, dhe problemet me zhvendosjen e popullsisë për ndërtimin e kapaciteteve të reja dhe hapjen e minierave të reja të linjitit.

Sistemi energjetik i Kosovës i bazuar pothuajse krejtësisht në linjit, mund të shërbejë për furnizimin e energjisë baze, kurse sistemi energjetik i Shqipërisë mund të shërbejë si furnizues i energjisë së pikut.

Në këtë mënyrë do të optimizohen dhe ekonomizohen sistemet energjetike të të dy vendeve. Në të kundërtën, është shumë e kushtueshme që, në rastin e Kosovës, të përcjellët përmbushja e energjisë së pikut me termocentrale jofleksibile të linjitit, ndërsa në rastin e Shqipërisë të përdoret energjia hidrike për furnizimin e energjisë baze.

Edhe pse përfitimet nga bashkëpunimi energjetik i të dy vendeve janë të pa-kontestueshme, Kosova duhet të ketë kujdes në ndërtimin e kapaciteteve të reja në bazë në qymyr.

Përkundër faktit që qymyri i Kosovës është shumë kompatibil me resurset ujore të Shqipërisë, Kosova duhet të marrë parasysh edhe ndikimet negative të eksternaliteteve të djegies së qymyrit, si ndotja e ambientit nga pluhuri dhe gazrat, ndikimi negativ i ndotjes në shëndetin publik, dhe ndikimi negativ i zhvendosjes së popullsisë nga hapja e minierave të qymyrit dhe ndërtimi i kapaciteteve të reja.

Duke pasur parasysh fleksibilitetin e hidrocentraleve të Shqipërisë dhe krijimin e një tregu më të madh të energjisë nga bashkimi i të dy tregjeve, Kosova duhet të zhvillojë dhe ndërtojë kapacitete të reja të energjisë së ripërtrishme. Paparashikueshmeria e disponueshmerisë së burimeve të ripërtrishme mund të balancohet lehtë me fleksibilitetin e kapaciteteve hidrike të Shqipërisë.

Duke u bazuar ne këto përfundime, Instituti GAP rekomandon:

·         Bashkëpunimi energjetik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë duhet të intensifikohet edhe më tej me ndihmën e qeverive të të dy vendeve. Ky bashkëpunim duhet të rezultojë në:

o   Krijimin e një tregu të përbashkët të energjisë;

o   Konkretizimin e planeve strategjike për bashkëpunim energjetik ndërmjet të dy vendeve;

o   Luftimin e pengesave të bashkëpunimit energjetik, si korrupsioni;

o   Nënshkrimi i marrëveshjes së ujërave ndërkufitar për përdorim energjetik.

·         Përllogaritjen e ndikimeve negative eksternale të kapaciteteve të bazuara në linjit dhe limitimin e përdorimit të tyre përkundër komplementaritetit me burimet hidrike të Shqipërisë.

·         Stimulimin dhe zhvillimin e burimeve të ripërtrishme të energjisë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)