Furnizimi me ngrohje në lagjën Arbëria do të fillojë nga sezoni i ardhshëm
Prishtinë, 29 dhjetor - Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama me Kryeshefin Ekzekutiv të NP “Termokos” SH.A., Fisnik Osmani vizituan ekipet, që janë duke punuar në lagjen “Arbëria” për shtrirjen e rrjetit të ngrohjes.
Kryetari Rama është njoftuar nga Kryeshefi Osmani për ecurinë e punimeve, të cilat janë zhvilluar me një dinamikë të shpejtë dhe pa kurrfarë problemesh deri më tani.
Kryeshefi Osmani ka sqaruar se gjithë punët për shtrirjen e rrjetit të ngrohjes, kompletimin e nënstacioneve të ngrohjes dhe finalizimin e këtij projekti pritet të kryhen brenda disa muajsh, në mënyrë, që për këtë pjesë të lagjes “Arbëria” furnizimi me ngrohje të fillojë nga sezoni i ardhshëm ngrohës.
Kryetari Rama është shprehur i kënaqur me progresin e punimeve në këtë lagje dhe me mundësinë e krijuar për të kyçur në rrjetin e ngrohjes mijëra qytetarë të Prishtinës. Ai ka përgëzuar Kryeshefin Osmani për këtë progres dhe secilin, që është angazhuar për mbarëvajtjen e punëve.
Në kuadër të Projektit për zgjerimin dhe rehabilitimin e rrjetit të ngrohjes, i cili është duke u realizuar me fondet e ndara nga Qeveria Gjermane dhe Qeveria e Luksemburgut nëpërmes Bankës Gjermane pë Zhvillim (KfW) dhe bashkëfinancim nga “Termokos”, deri më tani janë realizuar pjesa më e madhe e punëve për shtrirjen e rrjetit të ngrohjes në një pjesë të lagjes “Arbëria”, përkatësisht janë hapur rreth 1.900 metra trase për shtrirjen e rrjetit të ngrohjes.
Si rezultat i këtij projekti në rrjetin e ngrohjes do të kyçen mbi 2 mijë konsumatorë në 40 objekte banesore të kësaj lagjeje me rreth 250 mijë m/2 sipërfaqe ngrohëse.