Furnizimi me energji elektrike parakusht për zhvillimin ekonomik
Prishtinë, 19 tetor - Siguria dhe cilësia e furnizimit me energji elektrike, por edhe kostoja e përballueshme e këtij produkti përbëjnë një kusht të domosdoshëm për zhvillim më të përshpejtuar ekonomik, e në veçanti për sektorin e prodhimit dhe përpunimit në vend.
Ky ishte mesazhi kryesor i dalë në një tryezë të organizuar përkitazi për këtë temë nga Komiteti i Prodhimit i Odës Ekonomike Amerikane, ku kompanitë e këtij sektori patën rastin të shpalosin shqetësimet e tyre para institucioneve kyçe në këtë fushë si Zyra e Rregullatorit të Energjisë, KEDS, KOSTT, si dhe para Kryetarit të Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Muhamet Mustafa.
Muhamet Mustafa, Kryetar i Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, tha se energjia elektrike është një bazë për zhvillimin e sektorit të prodhimit dhe parakusht që ndërmarrjet vendore të këtij sektori të jenë konkurruese në nivel rajonal.
Ai sqaroi se struktura tarifore, veçanërisht dallimi i këtyre tarifave gjatë stinës së dimrit dhe verës, ka qenë temë e diskutimeve edhe në komision parlamentar, dhe ftoi komitetin e prodhimit që të dërgojë edhe në komision parlamentar propozimet konkrete lidhur me këtë temë.
Mustafa nënvizoi faktin se qasja e institucioneve shtetërore në fushën e energjisë duhet të ndryshojë dhe se sfidat duhet të shikohen si mundësi për të përmirësuar pozitën e prodhuesve vendorë, e jo të fshihen prapa kufizimeve të ndryshme ligjore, meqenëse edhe ligjet mund të ndryshohen në funksion të zhvillimit ekonomik.
Ai poashtu foli për një angazhim më të shtuar të Komitetit që ai drejton në funksion të fuqizimit të pozitës së industrisë prodhuese në Kosovë.
Ai tha se është evidente që Kosova duhet të përkrahë industrinë e saj prodhuese duke e ditur se kjo është një industri e re, por kjo përkrahje nuk duhet të krijojë favore ashtu që do ta dëmtonte aftësinë konkurruese të prodhuesve të brendshëm.
Krejt në fund, ai tha se problemi i energjisë elektrike por edhe problemet e tjera në asnjë mënyrë nuk e bëjnë vendin të duket atraktiv para investitorëve të huaj.
Mërgim Prishtina, Kryesues i Komitetit të Prodhuesve pranë Odës Ekonomike Amerikane dhe njëherit Drejtor Ekzekutiv i kompanisë TrePharm, në mesin e sfidave dhe çështjeve problematike në aspekt të energjisë elektrike listoi ndërprerjet e paparalajmëruara të energjisë, dallimin e tarifave për biznese gjatë stinës së verës dhe të dimrit, dhe cilësinë e energjisë elektrike.
Ai gjithashtu theksoi se kërkesë e komitetit të prodhimit në OEAK vazhdimisht ka qenë që të ndërmirren politika që i ndihmojnë këtij sektori për tu barazuar me prodhuesit nga shtetet e rajonit, dhe jo që të favorizohen kundrejt tyre.
Astrit Shabani, Anëtar i Komitetit dhe pronar i kompanisë Plastika, theksoi se Komiteti ka bërë krahasimin e çmimeve të energjisë me vendet e rajonit, megjithatë është tejet e vështirë të definohen komponentët e faturave të energjisë.
Sipas tij, për momentin kompanitë e kanë të pamundur të kuptojnë se si llogariten shpenzimet e tyre të energjisë.
Shabani theksoi se një fakt tjetër shqetësues është se institucionet përgjegjëse nuk marrin përgjegjësinë për prishjen e makinerive si rezultat i ndërprerjes së energjisë elektike apo cilësisë të dobët të saj.
Në anën tjetër, Petrit Pepaj, drejtor menaxhues i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), sqaroi rolin dhe funksionin që ky organ ka në aspekt të çmimeve të energjisë. Pepaj gjithashtu sqaroi se ka diskutime për të harmonizuar tarifat verore dhe dimërore, apo edhe për të standardizuar ato.
Megjithatë, ai theksoi se sfidë drejt një lëvizjeje të tillë është fakti se për momentin konsumatorët e biznesit ndërsubvencionojnë energjinë elektrike të shpenzuar nga konsumatorët e amvisërive, duke përmendur në këtë kontekst si shqetësim edhe humbjet komerciale dhe ato teknike.
Duke folur për gjendjen e rëndë në aspektin e furnizimit me energji elektrike, Pepaj theksoi urgjencën e ndërtimit të kapaciteteve të reja gjeneruese.
Pepaj përfundoi duke theksuar se ZRrE mirëpret propozimet për ndryshimet në strukturën tarifore në vend, mirëpo duke pasur në konsideratë se çmimi mesatar i energjisë elektrike është në nivel të ngjashëm me ato të rajonit.