Fundjava edhe më e nxehtë
Prishtinë, 9 gusht - Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se masat e nxehta të ajrit të ardhura nga Afrika Veriore, vetëm sa janë duke u fuqizuar dhe duke e mbajtur grafikun e temperaturave maksimale njejtë me ditët e fundit. Kjo gjendje termike ka përfshirë edhe vendet fqinje, si Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi, Serbinë dhe pjesët tjera të Evropës Juglindore.
Derisa sot maksimalet arritën në 33-35 gradë Celsius, fundjava dhe fillimi i javës së ardhshme parashihet të jetë edhe më e nxehtë, por jo me temperatura sikur u regjistruan në Francë dhe disa vende tjera të Evropës.
Temperaturat minimale gjatë këtyre dy ditëve do të mbeten konstante me ditët e fundit. Minimalet ndërmjet 15-17 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 33-35 gradë Celsius. Shtypja atmosferike mbetet mbi vlerat e normales. Indeksi UV në kufijtë e rrezikut.
Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga verilindja dhe jugperëndimi. Kushtet biometeorologjike nuk do të jenë të favorshme për asnjë shtresë të popullatës, që nënkupton se shmangja nga rrezet e diellit nga ora 9-17 do të ishte e preferueshme.