FMN: Çmimi i energjisë në Shqipëri, më i larti në rajon
Tiranë, 4 prill - Qytetarët e Shqipërisë paguajnë energjinë elektrike më shtrenjtë se të gjithë vendet e rajonit. Edhe pse të ardhurat për frymë janë më ultat në këtë hapësirë, kostoja e energjisë që paguhet nga konsumatorët familjarë është më e larta.
Ky fakt është dokumentuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar në dosjen bashkangjitur marrëveshjes me qeverinë shqiptare.
Në raport thuhet se çmimi i energjisë me pakicë në Shqipëri është ndër më të lartit në rajon, veç Kroacisë. Sipas ekspertëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar aktualisht konsumatorët shqiptarë paguajnë rreth 12 cent te euros për kilovat/orë energji përfshirë dhe taksat.
Në Bullgari dhe Mal të Zi çmimi është rreth 9 cent të euros, ndërsa në Bosnjë-Hercegovinë konsumatorët paguajnë edhe më pak se kaq rreth 8 cent të euros për çdo kilovat/ orë energji.
I vetmi vend i Ballkanit Perëndimor, ku qytetarët e paguajnë më shtrenjtë energjinë se në Shqipëri, sipas Fondit Monetar, është Kroacia ku çmimi është rreth 13 cent të euros për kilovat/ orë. Por, në Kroaci të ardhurat për frymë janë sipas Bankës Botërore 2.2 herë më të larta se sa në Shqipëri.
Ekonomia shqiptare humbet rreth 200 milionë dollarë në vit nga vjedhjet e energjisë. Ndërkohë në 5 vjet vjedhjet dhe humbjet energjisë arrijnë në 1 miliard dollarë.
Pak ditë më parë Enti Rregullator i Energjisë paralajmëroi se do të rishikojë tarifat, për t\'u përballur me krizën e thellë të sektorit.
Por siç tregon dhe krahasimi i vetë FMN-së, sektori energjetik nuk është në krizë se shqiptarët e paguajnë lirë këtë mall. Por për një shkak tjetër, që lidhet me administrimin, siç e pranon edhe vetë Qeveria.