Fillon projekti “Ndertimi i Ujësjellësit në fshatin Orllan”
Podujevë, 7 gusht - Me një atmosferë gëzimi, sot në Shajkoc të Podujevës ka filluar zyrtarisht realizimi i projektit “Ndertimi i Ujësjellësit në fshatin Orllan”.
Në ceremoninë e fillimit të punimeve morën pjesë ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, kryetari i Podujevës, Agim Veliu, kryeshefi i KRU “Prishtina”, Ilir Abdullahu, koordinatori nacional për reforma shtetërore, Besnik Tahiri, drejtori ekzekutiv i OJQ-së “Sundimi i Demokracisë në Kosovë”, Rexhep Zeka e banorë të shumtë të Orllanit.
Me këtë rast ministri Matoshi tha se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor po investon rreth 1 milion euro për të ofruar ujë të pijshëm për gjithë banorët e kësaj zone.
“ Padrejtësia më e madhe u ka ndodhur viteve me radhë banorëve të fshatit Orllan me mungesën e ujit të pijes. Pikërisht nga ky vend, furnizohet me ujë pothuajse e gjithë Prishtina, Podujeva, ndërsa vetë banorët kanë qenë të privuar nga kjo e drejtë”, deklaroi ministri Matoshi.
Sipas ministrit Matoshi, ky projekt ka pasur shumë sfida të cilat janë tejkaluar së bashku me banorët e fshatit Orllan.
“ Falënderoj banorët e fshatit Orllan për mirëkuptimin që e kanë pasur dhe besoj shumë që ky projekt do të implementohet në një afat rekord dhe me cilësi. Përveç mbikëqyrjes që e ofrojmë ne si ministri, ky projekt do ta ketë edhe komunitetin e Orllanit të cilët i ftojë që nga dita e sotme të jenë pjesë përbërëse e mbikëqyrjes së këtij projekti”, tha Matoshi.
Ndërsa kryetari i komunës së Podujevës, Agim Veliu, tha se projekti për ndërtimin e sistemit të ujësjellësit në fshatin Orllan është projekt i përbashkët mes Ministrisë, Komunës dhe KRU “Prishtina”.
“ Unë sot jam shumë i gëzuar sepse po përmbushet edhe një kërkesë e banorëve të fshatit Orllan që ka qenë shumë e drejtë dhe që ka qenë e paarsyeshme jo mbulueshmëria e tyre me ujë të pijshëm deri më tani. Falënderoj Ministrinë e Mjedisit për kontributin por edhe KRU ‘Prishtina”, deklaroi kryetari Veliu.
I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe drejtori ekzekutiv i OJQ “Sundimi i Demokracisë në Kosovë”, Rexhep Zeka, i cili tha se sot është një ditë e veçantë për banorët e Orllanit.
“Angazhimi i banorëve për këtë projekt ka bërë që kjo ditë e sotme të jetë gëzim për ta, duke e parë që po fillon të jetësohet një projekt i kahmotshëm, një nevojë e kamotshme për banorët e kësaj ane. “Falënderoj të gjithë institucionet vendimmarrëse që kanë bërë që ky projekt të filloj sot së realizuari”, tha Zeka.
Projekti “Ndërtimi i sistemit të ujësjellësit në fshatin Orllan”, financohet nga MMPH në vlerë prej afër 1 milion ( 979.880.40) euro, dhe do të përfundojë brenda 36 muajve.