Fillon peticioni për ndalimin degradimit të ambientit nga Hidrocentralet
Prishtinë, 29 tetor - Nga sot fillon nënshkrimi i peticionit, nëpërmjet të cilit qytetarët e Kosovës i kërkojnë institucioneve më të larta të vendit, që të ndalin degradimin e mëtutjeshëm të ambientit nga Mini Hidrocentralet dhe Hidrocentralet e vogla.
Shkatërrimi i vazhdueshëm i resurseve tona natyrore nga të gjithë ata që abuzojnë dhe shfrytëzojnë resurset e vendit për përfitime individuale, qofshin vendim-marrës apo investitorë, na shtyen të protestojmë dhe të premtojmë se nuk do të ndalemi.
Argumentet e mbledhura dëshmojnë se nëse nuk veprojmë TASH dhe menjëherë, lumenjtë e Kosovës, si dhe popullata që jeton në afërsi të tyre, do të shkatërrohen dhe degradohen në pa kthim.
Sot po ndërtohen hidrocentrale të vogla në hapësirat e parqeve kombëtare, dhe zonat e mbrojtura me ligj, ku është rreptësisht e ndaluar, pa dokumentacion të kompletuar ligjor dhe pa u konsultuar të gjitha palët e interesit
Po ashtu po ndërtohen hidrocentrale që shkatërrojnë florën dhe faunën, devijojnë lumenjtë, reduktojnë dhe rrezikojnë furnizimin e popullatës me ujë, e shumë të tjera.
Mbledhja e nënshkrimeve do të zgjasë dy javë dhe do të bëhet në shtatë komunat e mëdha të Kosovës përfshi edhe komunat përreth.