Fillon faza e tretë e realizimit të Projektit të kogjenerimit
Prishtinë, 29 dhjetor - Ngrohtorja e Prishtinës Termokos SH. A ka bërë të ditur se ka filluar faza e tretë e realizimit të Projektit të kogjenerimit, në kuadër të së cilës do të bëhet riparimi i 50 nënstacioneve të ngrohjes.
Prioritet në këtë fazë do ti jepet Kodrës së diellit, në të cilën lagje ka pasur ngrohje më të dobët.
Fillimisht në nënstacionin e ngrohjes së kësaj lagjeje është duke u vendosur një këmbyes nxehtësie.
Për këtë arsye për konsumatorët e Kodrës së Diellit, sot do të ketë ndërprerje të furnizimit me energji ngrohëse nga ora 11.00 deri në orët e para të mbrëmjes.
Instalimi i këtij këmbyesi të nxehtësisë do të përmirësojë dukshëm cilësinë e energjisë ngrohëse për konsumatorët e kësaj lagjeje.
Rikthimi i ngrohjes për konsumatorët e Kodrës së diellit do të realizohet në orët e para të mbrëmjes, kur do të përfundojë instalimi i këmbyesit të nxehtësisë.