Evropa po përjeton një rritje të pashembullt të çmimeve të energjisë
Bruksel, 24 shtator - Evropa po përjeton një rritje të pashembullt të çmimeve të energjisë, duke shkaktuar shqetësim nëse familjet do të jenë në gjendje të kenë ngrohje të mjaftueshme ndërsa afrohet dimri.
Politikanët janë gjithashtu të shqetësuar për ndikimin e kësaj gjendjeje tek zgjedhjet dhe tek rritja e mëtejshme e inflacionit.
Rritja e ndjeshme e çmimeve të gazit natyror është kryesisht falë rritjes së kërkesës në Azi dhe sasisë së ulët në Evropë, ku çmimet e gazit me shumicë kanë pasur një rritje masive prej 280%.
Çmimet e energjisë elektrike po rriten gjithashtu sepse gazi natyror përdoret në të gjithë kontinentin për të prodhuar një përqindje të konsiderueshme të energjisë elektrike.
Vendimi i Moskës për të mos rritur sasinë gazit natyror me të cilin furnizon Evropën përmes tubacioneve që kalojnë nga Ukraina, po përkeqëson krizën dhe përforcon idenë se Rusia po përdor nevojat për energji të fqinjëve të saj evropianë për të ushtruar presion ndaj tyre.
Disa politikanë evropianë po akuzojnë Kremlinin për përkeqësimin e qëllimshëm të krizës energjitike të Evropës si një taktikë për të bërë presion ndaj Bashkimit Evropian për përshpejtimin e certifikimit të gazsjellësit të sapo përfunduar Nord Stream 2, i cili anashkalon Ukrainën dhe kalon nga Rusia në Gjermani, nën Detin Baltik.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, IEA i ka bërë thirrje Rusisë të rrisë eksportet e gazit përmes Ukrainës.
"IEA beson se Rusia mund të bëjë më shumë për të rritur sasinë në dispozicion të gazit në Evropë dhe të sigurojë që rezervat të jenë në nivele të përshtatshme në përgatitje për sezonin e ardhshëm të dimrit", thotë Agjencia përmes një deklarate.
Zyrtarët amerikanë i kanë bërë thirrje Moskës të rrisë eksportet e gazit.
"Realiteti është se ka tubacione me kapacitet të mjaftueshëm përmes Ukrainës për të furnizuar Evropën. Rusia ka thënë vazhdimisht se ka rezerva të mjaftueshme gazi, kështu që nëse kjo është e vërtetë, atëherë ata duhet ta bëjnë një gjë të tillë me shpejtësi përmes Ukrainës", i tha televizionit Bloomberg këtë javë Amos Hochstein, këshilltar i lartë për sigurinë e energjisë në Departamentin Amerikan të Shtetit.
Disa anëtarë të Parlamentit Evropian duan që Komisioni Evropian të hetojë kompaninë ruse të energjisë, Gazprom.
"Ne i bëjmë thirrje Komisionit Evropian që të hapë urgjentisht një hetim mbi manipulimin e mundshëm të qëllimshëm të tregut nga Gazpromi dhe shkeljen e mundshme të rregullave të konkurrencës në BE," tha një grup ligjvënësish përmes një letre.
Disa qeveri evropiane po shqyrtojnë gjithashtu se si mund të ndërhyjnë në tregjet e energjisë për të garantuar ngrohjen dhe dritat për familjet dhe funksionimin e fabrikave gjatë dimrit.
Ata gjithashtu u druhen pasojave politike të brendshme nga rritja e kostos për familjet dhe po konsiderojnë mundësinë e miliarda dollarëve ndihmë.
Ministrat e energjisë të BE-së do të takohen këtë javë për të diskutuar masat kombëtare mes shqetësimeve se kriza e energjisë do të dëmtojë rëndë rimëkëmbjen post-pandemike të bllokut.
Në Spanjë dhe Portugali, çmimet mesatare të energjisë elektrike me shumicë janë trefishi i nivelit të një viti më parë, 206 dollarë për megavat në orë. Qeveria e Spanjës planifikon të ulë taksat për faturat e shërbimeve.
Norvegjia këtë javë ofroi masa lehtësuese duke njoftuar se kompania e saj shtetërore e energjisë do të rrisë prodhimin e gazit natyror nga dy objekte të Detit të Veriut.
Në Itali, ministrat kanë paralajmëruar se çmimet e energjisë elektrike do të rriten me 40% në tremujorin e fundit të 2021 dhe ashtu si fqinjët e tyre në Evropën Jugore, po hartojnë plane emergjente për të zbutur pasojat e rritjes së çmimeve për konsumatorët.