Eurostat e rendit Kosovën, si vendi me çmime të lira të rrymës
Prishtinë, 23 shkurt - Shpeshherë është thënë se çmimet e energjisë elektrike në Kosovës janë të larta, por këto pohime i hedhen poshtë një raporti i Eurostat-it për çmimet e energjisë elektrike për konsumatorët familjarë, i cili Kosovën e rendite si vendin me çmime më të lira të rrymës.
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), tregon se i kanë marrë kërkesat nga operatorët për tarifat e energjisë elektrike dhe se janë duke i shqyrtuar. Derisa vendimi për tarifat e reja pritet të publikohet deri në fund të marsit.
Operatorët e Licencuar për shërbimet e energjisë elektrike, tashmë kanë dorëzuar në ZRRE kërkesat për azhurnimet vjetore për të hyrat e lejuara maksimale dhe tarifat e energjisë elektrike. Stafi profesional i ZRRE-së është duke i analizuar këto kërkesa dhe së shpejto do të vendosë në diskutim publik raportet konsultative, ku do të paraqiten kërkesat e operatorëve dhe vlerësimet preliminare të ZRRE-së. Tarifat aktuale do të jenë në fuqi deri me 31 mars 2017 dhe ZRRE do të sigurohet që para 1 prillit 2017, konsumatorët të njoftohen me tarifat e reja, ka thënë zëdhënësja e ZRRE-së, Adelina Murtezaj.
Në ZRRE nuk e kanë komentuar raportin e Eurostatit rreth tarifave të rrymës. Pa dashur të komentojmë vlerësimet e Eurostat-it, ZRRE dëshiron të sqarojë se tarifat e energjisë në Kosovë caktohen duke u bazuar në ligjet e energjisë, rregullat për përcaktimin e çmimeve, Metodologjinë për përcaktimin e tarifave dhe Balancën e Energjisë për vitin rregullativ përkatës. Bazuar në këto ligje dhe rregulla, dhe pas vlerësimeve të stafit profesional, Bordi i ZRRE merr vendimin përfundimtar i cili si parim primar ka përcaktimin e tarifave të mbështetura në kosto që arsyetojnë shërbime të kënaqshme për konsumatorët, tha Murtezaj.
Ndryshe në raportin e Eurostat-it për çmimet e energjisë elektrike për konsumatorët familjarë, prapa Kosovës renditen, Serbia, Maqedonia, Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Bullgaria, Mali i Zi, Moldavi, Estoni dhe vende të tjera.