Erërat e forta shkaktojnë prishje në rrjetin e elektrik të Kosovës
Prishtinë, 7 janar - Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike (KOSTT), ka bërë të ditur se si pasojë e erërave të forta dhe motit të ligë që ka mbizotëruar në vend, gjatë natës së mbrëmshme, janë shkaktuar disa prishje kalimtare në rrjetin transmetues të energjisë elektrike në vend, të cilat kanë pasur ndikim minimal në furnizimin me energji elektrike.
Ekipet e KOSTT-it, kanë ndërmarrë masa të menjëhershme dhe gjatë gjithë natës kanë punuar në eliminimin e prishjeve dhe në afate rekorde pjesa më e madhe e linjave transmetuese që kanë rënë nga puna janë rikthyer në funksion.
Gjatë natës së mbrëmshme, ka pasur rënie të linjës 220 kV (kilovolt) 205/1 që lidhë NS Kosova B-NS Besiana, linja 110 kV 184/1 që lidhë NS Prishtina 4-NS Gjilan 1, linja 110 kV 1202 që lidhë NS Prishtina 4-NS Prishtina 2, linja 110 kV 118/5 që lidhë NS Prishtina 4-NS Ferizaj 1, linja 110 kV 184/2 që lidhë NS Prishtina 4-NS Prishtina 1, autotransformatori AT3 në NS Prishtina 4 dhe linja interkonektive 437/2 që lidhë NS Peja 3 me NS Ribarevina (Mali i Zi).
Të gjitha këto rënie sipas njoftimit të KOSTT nuk kanë pasur ndikim në furnizim me energji elektrike të konsumatorëve, përjashtuar rënien e linjës 110 kV 163/2 që për pasojë prej orës 00:53 deri në 01:54 ka mbetur pa furnizim me energji elektrike Nënstacioni Trepça dhe Nënstacioni Skenderaj.
Ekipet e KOSTT aktualisht po punojnë intensivisht në rikthimin në punë edhe të dy linjave të tensionit të lartë 205/1 (NS Kosova B-NS Besiana) si dhe të linjës interkonektive 437/2 (NS Peja 3-NS Ribarevina), por të cilat gjithashtu nuk kanë ndikim në furnizimin me energji elektrike të konsumatorëve.
KOSTT kërkon mirëkuptim nga qytetarët për kufizimet në furnizim me energji elektrike që janë shkaktuar si pasojë e motit të ligë.