23 Dhjetor 2024

Energjia elektrike shtrenjtohet për 8.9 për qind

Prishtinë, 20 qershor - Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) është mbledhur sot në një takim ku edhe ka marrë vendim për shtrenjtim të energjisë elektrike për 8.9 për qind. Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësja e ZRRE-së, Adelina Murtezaj.

“Sot në takimin e bordit të ZRRE-së, pasi që janë shqyrtuar aplikacionet e dy ndërmarrjeve të energjisë, KEK-ut dhe KOST-it, përfundimisht bordi ka vendosur që tarifat e reja të energjisë elektrike të reflektojnë një ngritje prej 8.9 për qind”, theksoi ajo.

Korporata Energjetike e Kosovës kishte propozuar rritje të çmimit prej 23 për qind, por propozimi fillestar i ZRRE-së ka qenë që energjia të shtrenjtohet për 7.6 për qind, plus ndikimin e tantiemës në tarifë, që do të thotë një rritje prej 10.4 për qind.

Megjithatë, propozimi i parë prej 7.6 për qind ka rënë, pasi ZRRE-ja ka marrë vendim që t’ia zvogëlojë për 3.3 milionë euro të hyrat e KEK-u.

Shtrenjtimin e mundshëm të energjisë elektrike e kundërshton Organizata Konsumatori.

Kryetari i saj, Selatin Kaçaniku, thotë se ngritja e çmimit të energjisë, mund të ketë efekte zinxhirore edhe në rritjen e çmimeve tjera, që do të rëndojnë edhe më shumë jetën e konsumatorëve vendorë.

“Një masë e tillë në këtë kohë të rënduar me kriza, në këtë kohë të goditur të standardit jetësor dhe biznesor në Kosovë, kjo masë nuk është e popullarizuar dhe nuk është masë që do t’i nevojitet Kosovës, ka forma tjera për të ndihmuar Korporatën Energjetike të Kosovës, ka pasur forma tjera për të ndihmuar konsumatorin dhe biznesin. Këto forma është dashur t’i hulumtojë qeveria dhe t’i ndihmojë Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike, që ajo të jetë komode në marrjen e vendimit”, tha Kaçaniku.

Kjo ngritje e çmimit të energjisë elektrike, sipas Kaçanikut, po e rëndon edhe më shumë jetën ekonomike dhe sociale të qytetarëve.

Shtrenjtimi energjisë elektrike do të reflektojë në ngritjen e çmimeve edhe të produkteve tjera.

Vendimi për çmimin e ri të tarifave të energjisë është dashur të hyjë në fuqi nga 1 prilli i këtij viti, mirëpo një gjë e tillë nuk u bë për shkak të skadimit të kontratave të anëtarëve të bordit të ZRRE-së dhe vonesave të shumta në emërimin e anëtarëve të ri.

Rritja e çmimit të energjisë është paraparë edhe në Letrën e Qëllimit dhe Memorandumi Teknik i Mirëkuptimit i nënshkruar mes Institucioneve të Kosovës dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Tarifat e reja do të fillojnë të aplikohen duke filluar nga data 1 qershor deri me 1 prill të viti të ardhshëm, kur pritet të merret vendimi i ri për tarifat.





Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)