Energjia elektrike mund të paguhet edhe në Postë
Prishtinë, 14 mars - Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike, (KEDS). dhe Posta e Kosovës Sh.A. kanë nënshkruar sot një marrëveshje me të cilën qytetarëve u mundësohet që faturat për energji elektrike ti paguajnë edhe në Zyrat Postare të Postës së Kosovës.
Marrëveshja është nënshkruar nga Drejtori i Përgjithshëm i KEDS-it, Vedi Yesilkilic dhe Kryeshefi Ekzekutiv i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha.
Në Zyrat tona Postare konsumatorët e KEDS-it do të paguajnë vetëm shumën që figuron në faturën e energjisë elektrike dhe nuk do të paguajnë pagese shtesë për shërbimin.
Dy kompanitë janë shumë të kënaqura që kanë arritur marrëveshje në dobi të qytetarëve duke marrë parasysh numrin e madh të Zyrave Postare të Postës dhe orarin e punës së tyre prej orës 08:00 deri në 21:00.
Përmes marrëveshjes, konsumatorët e KEDS do të mund të bëjnë pagesat e energjisë elektrike në zyrat e Postës. Si KEDS, jemi të përkushtuar për ofrim të shërbimeve më të mira për konsumatorë dhe për të qenë afër me qytetarët e Republikës së Kosovës, deklaroi me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes z. Vedi Yesilkilic, Drejtor i Përgjithshëm në KEDS.
Ndërkaq, Kryeshefi Ekzekutiv i Postës, z. Sejdi Hoxha tha se është i kënaqur që në zyrat postare është shtuar edhe një shërbim i ri. Në zyrat tona postare konsumatori i KEDS-it do të paguajë vetëm shumën që figuron në faturën e energjisë elektrike, asnjë cent më shumë. Pra njëjtë siç paguajnë edhe në sportele të KEDS-it. Nuk ka procedurë tjetër, deklaroi z. Hoxha.
Përfundimisht, kjo marrëveshje mëton të ofrojë shërbime shtesë për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe është produkt i bashkëpunimit të mirëfilltë në mes dy kompanive. Udhëheqësit e KEDS dhe Postës së Kosovës janë zotuar të thellojnë edhe më tej bashkëpunimin mes tyre në dobi të qytetarëve.