Energjia e qëndrueshme parakusht për zhvillimin ekonomik të Kosovës
Prishtinë, 14 maj - Qeveria e Kosovës sot ka qenë nikoqire e Konferencës së Donatorëve për të diskutuar planet afatgjate për energji të qëndrueshme të cilat përfshijnë rritjen e investimeve në eficiencën e energjisë dhe energjinë e ripërtëritshme.
Në Konferencë kanë marrë pjesë Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, përfaqësues nga Komisioni Evropian, Grupi i Bankës Botërore, Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka Evropiane për Investime, USAID, KfW, GIZ, JICA dhe përfaqësues të biznesit.
Rritja e eficiencës së energjisë dhe rritja e kapaciteteve të energjisë së ripërtëritshme janë dy elemente esenciale të strategjisë së Qeverisë për të reformuar sektorin energjetik dhe për tiu afruar më shumë standardeve të Bashkimit Evropian.
Konferenca është vlerësuar si një hap pozitiv përpara në afrimin e partnerëve zhvillimor të Kosovës në përkrahje të projekteve të tilla dhe për të diskutuar dekomisionimin e Termocentralit Kosova A.
Pjesëmarrësit ndërkombëtarë kanë përgëzuar Qeverinë e Kosovës për privatizimin e suksesshëm të KEDS-it dhe kanë konsideruar se ky ka qenë një hap i rëndësishëm në zbatimin e strategjisë së energjisë dhe përmirësimin e eficiencës së distribuimit të energjisë.
Në hapje të konferencës kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka theksuar se Qeveria e Republikës së Kosovës ka përcaktuar sektorin e energjisë si njërin nga sektorët e rëndësishëm të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe social të vendit.
Duke pasur parasysh që zhvillimi i aktiviteteve energjetike ka ndikim mjaft të madh në ambient, në vitet e fundit janë ndërmarrë masa në përmirësimin e gjendjes mjedisore në sektorin e energjisë. Në kuadër të këtij aktiviteti janë ndërruar dhe po vazhdon ndërrimi i filtrave elektrostatikë në tri njësitë e Termocentralit Kosova A.\"
\"Po ashtu Qeveria është zotuar dhe mbetet e përkushtuar që të punojë në drejtim të dekomisionimit të TC Kosova A sapo kapacitetet e reja gjeneruese të jenë funksionale. Për këtë arsye janë ngritur tre grupe punuese të cilat do të përkrahen në përgatitjen për Dekomisionimin e TC Kosova A, tha kryeministri Thaçi.
Ai tha se krahas aktivitetit për ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike, Qeveria është e përkushtuar që të zhvilloj Burime të Ripërtëritshme të Energjisë me qëllim që energjia që prodhohet në Kosovë të ketë sa më pak efekte në ndotjen e ambientit.
Në emër të Komisionit Evropian, Joost Korte, zëvendësdrejtor i përgjithshëm për Zgjerim theksoi se na duhet të shohim hapa drejt mbylljes së Kosovës A dhe shpresojmë se kjo konferencë do të sigurojë përkushtim të fortë për këtë.
\"Ne jemi të gatshëm që të financojmë tërë koston e mbylljes dhe dekomisionimit të Kosovës A, me rreth 60 milionë euro dhe jemi duke u përpjekur që të identifikojmë elemente të procesit të dekomisionimit që do të mund ti financonim edhe para mbylljes së termocentralit. Fonde shtesë do të vihen në dispozicion edhe për reduktimin e ndikimit të sektorit të energjisë në mjedis.
Duke folur në emër të Bankës Botërore, Ellen Goldstein, Drejtoreshë për Kosovë dhe Koordinatore Rajonale për Ballkanin Perëndimor, ka thënë: Reformat në sektorin energjetik janë një kusht obligues për investime, rritje ekonomike, vende pune, dhe përparim për Kosovën.\"
\"Ne jemi këtu sot për të sjellë përkrahjen tonë të plotë për agjendën e reformave në energji. Bashkë mund të sjellim energji të qasshme, të besueshme dhe të pastër për Kosovën nëpërmjet një miksi të energjisë së ripërtëritshme, efiçiencës së energjisë, dhe tenologjisë moderne me thëngjill.
Banka Botërore ka një zotim të vazhdueshëm dhe të planifikuar prej 55 milionë dollarëve amerikanë për energjinë e ripërtëritshme, efiçiencën e energjisë dhe menaxhimin mjedisor të lidhur me sektorin energjetik.
Kjo përfshin 32.5 milionë dollarëve amerikanë për Projektin për Efiçiencën e Energjisë dhe Energjinë e Ripërtëritshme për të financuar investimet në efiçiencën e energjisë dhe në energjinë e ripërtëritshme në ndërtesat e sektorit publik.
Javën e kaluar Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Grupit të Bankës Botërore ka miratuar një financim shtesë prej 4.2 milionë dollarëve amerikanë për Projektin e Pastrimit dhe Rifitimit të Tokës në Sektorin Energjetik të Kosovës, për të vazhduar me adresimin e çështjeve mjedisore afër Kosovës A, heqjen e kemikateve të rrezikshme nga fabrika e vjetër e gasifikimit, dhe për të ndërtuar kapacitete për praktika të mira mjedisore në sektorët e minierave dhe energjisë.
Në emër të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve, Daniel Rosenblum, Koordinator i Asistencës për Evropë dhe Euroazi, ka thënë se mungesa e sigurisë energjetike në Kosovë mbetet një barrierë e konsiderueshme për krijimin e vendeve të punës dhe rritjen afatgjate ekonomike të Kosovës.
Të gjitha elementet e strategjisë së energjisë janë të ndërlidhura suksesi i secilit element është vital për ti arritur elementet tjera. Qeveria e SHBA-ve ka dhënë më shumë se 50 milionë dollarë amerikanë në përkrahje të sektorit energjetik të Kosovës dhe se planifikon të vazhdojë punën e saj, krah përkrah me Kosovën dhe parterët e saj ndërkombëtarë. Përfaqësuesi i SHBA-ve ka zotuar edhe 15 milionë dollarë amerikanë të tjerë nga SHBA në pesë vitet e ardhshme.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj në hapje të sesionit të parë të Konferencës ka vlerësuar se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për të përmbushur zotimet e veta ndaj qytetarëve të Kosovës, por për të arritur këtë duhet të ketë përkrahje të vazhdueshme dhe udhëzime nga donatorët ndërkombëtarë.
Ai tha se shpreson se sot mund të identifikohen mënyrat me të cilat bashkërisht do të mund ti kontribuojnë nevojave për: - Një miks të qëndrueshëm energjetik në të cilin kombinohen burimet konvencionale të energjisë me burime të ripërtëritshme të energjisë, si dhe për zvogëlimin e kërkesës përmes nismave për efiçiencë energjetike dhe
-Ti mundësohet Kosovës që të përmbushë zotimet e veta ndërkombëtare, përfshirë dekomisionimin e Kosovës A.
Beqaj tha se marrë parasysh se energjia e ripërtëritshme duhet të zhvillohet përmes nismave nga sektorit privat, Qeveria ka për qëllim zhvillimin e mekanizmave të nevojshëm përkrahës, në formë të tarifave stimuluese (feed-in), thjeshtësimit të procedurave të aplikimit, aktiviteteve promovuese, certifikatave të origjinës, etj. Andaj për të arritur një zhvillim të tillë, Qeveria e Kosovës mëton të krijojë një mekanizëm financiar për të përkrahur nismat e sektorit privat.
Teksa diskutojmë sot për hapat e ardhshëm, ne duhet të kujtojmë se nuk kemi të bëjmë thjeshtë me drita, por se janë në pyetje të drejtat e qytetarëve, ngrohja, punësimi dhe arsimimi i tyre, të cilat ndikohen nga disponueshmëria dhe cilësia e energjisë. Këto mund të arrihen më së miri përmes një miksi të energjisë konvencionale dhe të ripërtëritshme dhe përmes rritjes së kontrolluar të kërkesës për energji, tha mes tjerash Beqaj.
Ndryshe Konferenca vazhdoi punimet me sesionet Zhvillimi i sektorit të energjisë vizioni, sfidat dhe hapat vijues; Përkrahja financiare për projekte në fushën e energjisë së ripërtëritshme dhe efiçiencës së energjisë; Roli i sektorit të energjisë së ripërtëritshme në Kosovë; Roli i efiçiencës së energjisë në zhvillimin e qëndrueshëm për të përfunduar me Konkluzionet. Ndërsa një sesion i veçantë i Konferencës është paraparë me shoqërinë civile.