Emetimet e KEK-ut së shpejti brenda standardeve të BE-së
Prishtinë, 5 shtator - "Qeveria e Kosovës ka një orientim dhe ai orientim është që KEK-u brenda afateve kohore që ia ka përcaktuar Qeveria dhe që i ka përcaktuar vet të mos jetë ndotës i ambientit në Republikën e Kosovës", ka deklaruar ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj.
Këto komente ministri Beqaj i bëri sot me rastin e inaugurimit të ekektrofiltrave në Bllokun A5 të Termocentralit Kosova A, në praninë e ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi, ambasadores amerikane, Tracey Jacobson, ambasadorit francez, Jean Francois Fitou dhe drejtuesve të Korporatës Energjetike të Kosovës.
Ai tha se në vizitën e ardhshme në këtë TC tymtari do të emetojë më pak, atëherë ato janë shifrat që dëshirojnë ti shohin në impaktet e ambientit. Është i rëndësishëm montimi i elektrofiltrave në A5 dhe projektet në A4 dhe A3, rikultivimi i deponisë së hirit, projektet e tjera të cilat kanë të bëjnë në mënyrë të drejtpërdrejtë me cilësinë e jetës së qytetarëve në Republikën e Kosovës dhe të gjitha këto janë synime të Qeverisë së Republikës së Kosovës, tha ministri Beqaj.
Beqaj ka shprehur besimin e tij që kjo nuk do të mbetet vetëm fotografi se si do të dëshironin të shohin KEK-un në të ardhmen, por një gjendje e tillë do të bëhet realitet, ndërsa ka shtuar se MZHE do të vazhdojë të përkrah KEK-un, duke falënderuar donatorët për kontributin e tyre.
Kreu i MZHE-së tha se kjo Ministri do të vazhdojë të komunikojë nga afër me Komisionin Evropian për të aprovuar dhe vënë në jetë të gjitha direktivat lidhur me ambientin.
Me këtë rast ministri Beqaj në emër të Qeverisë ka falënderuar punëtorët e KEK-ut për punën e bërë për të siguruar furnizim sa më stabil me energji, sidomos gjatë dimrit të kaluar, duke shtuar se më përkushtimin e tyre dhe punën e palodhshme po bëjnë që KEK-u të merr rrugën e mbarë me investime vetanake.
Nga ana tjetër, ministri i Mjedisit, Dardan Gashi tha se veprimtaria e KEK-ut është jetike për ekonominë e Kosovës, megjithëse ka qenë shkaktar i ndotje së ambientit në Kosovë.
Ai tha se vendosja e elektrofiltarve flet për një ndryshim të madh që po bën vendi për eliminimin e ndotjes, ndërsa ka shtuar se bashkë me MZHE-në ka nisur shpejtimi i zhvillimit të energjisë së ripërtërishme, siç është fillimi i ndërtimit të hidrocentralit të parë me kapacitete serioze në komunën e Deçanit.
Ambasadorja e SHBA-së në Prishtinë, Tracey Jacobson ka nënvizuar se zhvillimi i sektorit të energjisë është ndër prioritetet kryesore të programit asistencës të SHBA-ve në Kosovë sepse është damari kryesor për zhvillimin ekonomik të vendit.
Qeveria e SHBA-së përmes USAID-it po mbështet zhvillimin e sektorit energjetik në Kosovë në bashkëpunim me qeveritë dhe donatorët e tjerë dhe së bashku ne duam furnizim të sigurt me energji elektrike dhe më miqësor për mjedisin, tha Jacobson.
Sipas saj, përurimi i sotëm tregon që Kosova është në rrugë të duhur dhe po tërheq investime dhe ekspertizë të sektorit privat që janë thelbësore për arritjen e potencialit të plotë të këtij sektori, ndërsa ka ritheksuar mbështetjen e SHBA-ve sa i përket projekteve energjetike, duke pasur parasysh mirëqenien e qytetarëve.
Drejtori menaxhues i KEK-ut, Arben Gjukaj ka vënë në dukje se nga sot Blloku A5 emiton 15 herë më pak ndotje se para vendosjes së filtrit, ndërsa tha se me vendosjen e filtrave edhe në Blloqet A 3 dhe A4 deri në vitin e ardhshëm, emetimi do të jetë brenda standardeve të BE-së.