Ekipi për shkyçje i KEK-ut pengohet në punën e tij
Prishtinë , 30 mars - KEK sh.a. njofton që gjatë kryejres së detyrave zyrtare në terren gjatë ditës së djeshme, 29 mars 2010, është sulmuar ekipi për shkyçje i Korporatës.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:30 në fshatin Shtupel gjatë shkyçjes së konsumatorëve që nuk e kanë paguar energjinë elektrike. Me rastin e shkyçjes së TS Shtupel, tek njëri konsumator gjatë shkyçjes në shtyllë, konsumatori i ka sulmuar ekipën me armë të ftoftë (thikë). Policia e Kosovës është lajmëruar menjëherë për rastin e kërcënimit në fjalë dhe të fundit kanë shoqëruar në polici sulmuesin dhe kanë marrë deklaratat e personelit të Korporatës mbi ngjarjen. Ekipa e Korporatës ka qenë e përbërë nga punonjësit: Afrim Raci, Edurd Quni, Besim Kelmendi dhe Nexhat Brahimi.
KEK sh.a. dënon ashpër sulmin e drejtuar kundrejt punonjësve të Korporatës, që janë të angazhuar në terren për të ndihmuar në uljen e humbjeve komerciale të energjisë elektrike dhe ngritjen e nivelit të pagesës së saj. Sulmet e tilla qyqare vijnë nga konsumatorë që janë duke e dëmtuar sistemin energjetik të vendit dhe me këtë rast edhe ekonominë e vendit dhe konsumatorin që është i rregullt në kryerjen e obligimeve të veta.
Korporata kërkon nga organet përgjegjëse që të shqyrtojnë dhe shqiptojnë dënimin e merituar për personin që ka sulmuar ekipën e KEK-ut. Poashtu kërkohet nga organet e njëjta të bashkërëndojnë aktivitetet e tyre me Korproatën për parandalimin e sulmeve të tilla në të ardhmen.
Korporata mbetet thellësisht e përkushtuar që të trajtojë individualisht çdo konsumator që nuk paguan me rregull faturën e energjisë elektrike dhe e keq-shfrytëzon energjinë elektrike në dispozicion. Veprimet e tilla agresive nuk do ta ndalojnë Korporatën në rrugën e vet të ngritjes së cilësisë së shërbimeve karshi konsumatorit dhe avansimin e mëtutjeshëm të sistemit energjetik në vend.