E ardhmja e energjisë bërthamore në botë
SHBA, 12 prill - Vetëm para pak muajsh, ekspertë flisnin për ringjalljen e industrisë së energjisë bërthamore.
Pas më shumë se dy dekadave të funksionimit relativisht të sigurt, dhe me rritjen e kërkesës së publikut për centrale të pastra pa karbon, shumë vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara dukeshin gati të rifillonin përdorimin e energjisë bërthamore si alternativë a pastër, e sigurt dhe efikase ndaj naftës.
Por pastaj ndodhi tërmeti dhe cunami i 11 marsit që dëmtoi rëndë kompleksin e reaktorëve të Fukushima-Daiçit në Japoni.
Në të gjithë botën, vende si Kina, me projekte aktive të energjisë bërthamore i pezulluan punimet për ti rishikuar ato, ndërsa Gjermania dhe vende të tjera i anuluan planet e tyre. Dyshime të reja janë ngritur tani për të ardhmen e energjisë bërthamore.
Ndërkohë që mbyllja dhe përpjekjet e pastrimit të rrezatimit në uzinën e dëmtuar bërthamore të Fukushimës pritet të marrin disa muaj, në mos vite, ekspertët kanë filluar të mendojnë se si kjo tragjedi do të ndikojë tek rritja e industrisë miliarda dollarëshe të energjisë bërthamore në botë.
Madje, edhe analistët më optimistë parashikojnë ngadalësim të theksuar. Adrian Hejmer është drejtor ekzekutiv i programeve strategjike në Institutin Amerikan të Energjisë Bërthamore.
Pas incidentit në Japoni, energjia bërthamore do të vazhdojë të ecë përpara. Megjithatë nuk do ta ketë të njëjtin ritëm në dy apo tre vitet e ardhshme.
Në Shtetet e Bashkuara nuk është ndërtuar asnjë central bërthamor në 32 vitet e fundit që nga aksidenti i centralit bërthamore të Three Mile Island në vitin 1979 në shtetin Pensilvania.
Frika e publikut rreth rreziqeve ndaj mjedisit dhe shëndetit nga rrjedhjet radioaktive dhe zhvillimi i shpejtë i burimeve të tjera të pastra dhe të ripërtëritshme e kanë kufizuar zhvillimin e energjisë bërthamore. Kris Flejvin është president i Worldwatch Institute, një grup ambjentalist në Uashington.
Ky mund të jetë edhe fundi i përhapjes së energjisë bërthamore në të gjithë botën. Kjo industri kishte mundësi të ngushta edhe më parë, për shkak të kostos së lartë dhe kundërshtimit të publikut në shumë vende.
Megjithatë, përkrahësit e energjisë bërthamore thonë se aksidentet kanë qenë të rralla. Ata vënë në dukje se mes shqetësimeve për ndryshimet klimatike, ndotjen e ajrit dhe nevojën për energji më të pastër dhe pa gaz karbonik, energjia bërthamore luan rol të rëndësishëm. Çarl Ebinger është drejtor për Nismën e Sigurisë Energjitike në Institutin Brukings në Uashington.
Energjia bërthamore tani përbën 14 për qind të energjisë elektrike globale. Dhe nëse ne do të shmangnim zhvillimin bërthamor në një të ardhme të afërt, kjo do të vinte barrën tek përdorimi më i madh i naftës.
Një sasi shumë e vogël karburanti nga një reaktor është sa një ton qymyrguri. Në një central me qymyr, digjen zakonisht mes 80 deri në 100 vagona plot qymyrguri çdo ditë.
Kostoja e ndërtimit të një kompleksi bërthamor modern mund të shkojë në miliarda dollarë dhe pronarët mund të presin me vite për miratimin e vënies në funksion. Kjo ka bërë që shumë vende të ngrejnë pyetjen nëse duan miratimin e uzinave bërthamore, qoftë të reja apo të vjetra. Menjëherë pas incidentit në Fukushima të Japonisë, shumë vende reaguan.
Gjermania tha fillimisht se do të mbyllte shtatë centrale dhe të rishikonte masat e sigurisë. Tani ata po vënë në pyetje të ardhmen e energjisë bërthamore apo centralet e reja në Gjermani.
Vendet si Kina dhe India, të cilat përballen me probleme të ndotjes së ajrit dhe ndryshimit të klimës, po investojnë shumë në zhvillimin e energjisë diellore, të erës dhe veçanërisht bërthamore.
Por, njerëzit kanë ende nevojë për energji elektrike. Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë nga tani e deri në vitin 2050 kërkesa globale për energji do të trefishohet, çfarë do të kërkonte investime prej 350 trilion dollarësh. Se cili do të jetë roli i energjisë bërthamore, mbetet ende për tu parë pas rezultateve që do të dalin nga reaktorët e Fukushimës.