Djegia e hamulloreve po dëmton asetet e KEDS
Prishtinë, 20 shkurt - Djegia e hamulloreve është shndërruar në dukuri shqetësuese edhe sa i përket furnizimit me energji elektrike. Ditëve të fundit anekënd vendit ka dëmtim të aseteve energjetike, ku përfshihen disa shtylla të djegura dhe qindra metra largpërçues.
Edhe më shqetësues është fakti se konsumatorët po mbesin pa energji elektrike me orë të tëra si pasojë e këtyre veprimeve.
Dëmtimi më i madh i aseteve të KEDS ka ndodhur te Dalja 10 [kV] Hajvali dhe Graçanica 1 të hënën, ku janë djegur tri shtylla elektrike dhe janë dëmtuar 400 metra gjatësi të largpërçuesit. Si pasojë e kësaj djegieje është dashur të shkyçet nga rrjeti edhe Dalja Graçanica 2 për shkaqe sigurie.
Këto dalje kanë mbetur për gjashtë orë pa energji elektrike. Shtyllat janë djegur pasi i ishte vënë flaka tokës dhe gjendja kishte dalë jashtë kontrollit. Ekipet e KEDS kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes për sanimin e dëmeve.
Rasti tjetër ka ndodhur në Dragash më 18 shkurt 2014 në ora 19:05, ku për shkak të zjarrit në fusha janë djegur dy shtylla 12 metra. Si pasojë e kësaj ka rënë nga puna LP 35kV Dikanca, duke lënë pa furnizim HC Dikanca dhe Dalja 10kV Frigofood, Brod dhe Radeshë. LP 35kV Dikanca është kyçur në ora 20:02, Dalja 10kV Frigofood dhe Brod janë kyçur në ora 20:14, ndërsa Dalja e Radeshës është lëshuar në ora 14.00 ditën e nesërme pas aftësimit të kësaj daljeje.
KEDS kërkon ndjesë për këto ndalesa të energjisë elektrike, edhe pse shkaktari i kësaj është jashtë kompanisë. KEDS kërkon nga banorët që ti ruajnë asetet energjetike dhe të mos i ekspozojnë ndaj zjarrit apo shkaktarëve tjerë dëmtues, sepse ato sjellin beneficione për të gjithë.
Kompania mbetet e përkushtuar për furnizim me energji elektrike për konsumatorët anembanë vendit. Sigurisht kujdesi ndaj aseteve dhe bashkëpunimi i ndërsjellë është lehtësim i madh në kryerjen e këtij misioni.