Ditën e hënë, të mërkurë dhe të enjten pritet të ketë reshje shiu
Prishtinë, 27 janar - Në parashikimin e motit për pesë ditët e ardhshme, Instituti Hidrometerologjik i Kosovës ka bërë të ditur se java e fundit e muajit janar do të karakterizohet me mot të ndryshueshëm dhe herë-herë i shoqëruar me reshje shiu.
Shi pritet të ketë ditën e hënë, të mërkurën dhe të enjten, ndërsa ditët tjera të vranëta dhe me intervale me diell.
Temperaturat minimale parashihen të lëvizin ndërmjet -2 deri 2 gradë Celsius, ndërsa temperaturat maksimale parashihen të lëvizin ndërmjet 8-11 gradë Celsius.
Do të fryjë erë kryesisht nga juglindja me shpejtësi 1-11 m/s.
Këto temperatura që parashihen për këtë javë janë dukshëm mbi vlerat e temperaturave mesatare për muajin që jemi, por reshjet e parashikuara, pritet sadopak ta zbusin nevojën e akumulimit të liqeneve, prej të cilave furnizohen qytetaret.
Ndërsa sa i përket situatës biometeorologjike, ajo do të jetë relativisht e mirë dhe në favor të popullatës, sidomos ndaj atyre që kanë probleme me sëmundje kronike.