Diskutohet përfshirja e çështjes se transportit ajror në dialogun e Brukselit
Prishtinë, 15 janar - Ministrja për Dialogun, Edita Tahiri, priti në takim Ambasadoren e Republikës së Francës në Kosovë, Maryse Daviet, Kryeshefin Ekzekutiv në Aeroportin Adem Jashari, Roger Forneris, dhe Haldun Kokturk, Drejtor i Përgjithshëm i Aeroportit.
Në takim ishin të pranishëm edhe Arjeta Rexhaj, Këshilltare Politike e Ministres së Dialogut dhe Driton Gjonbalaj, Drejtor i përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës.
Në takim u vlerësuan marrëdhëniet miqësore mes Kosovës dhe Francës dhe u shpreh përkushtimi i përbashkët për të thelluar bashkëpunimin në fushat e interesit të ndërsjellë.
Me këtë rast, ministrja Tahiri shprehu përkrahjen dhe solidaritetin me popullin francez me rastin e ngjarjes tragjike në Paris të shkaktuar nga një sulm terrorist, duke thënë se Kosova do të jetë përherë së bashku me Francën dhe aleaten euro-atlantike për të luftuar të keqen dhe keqbërësit.
Në takim u diskutua për mundësitë e përfshirjes së çështjes së transportit ajror në Dialogun e Brukselit si dhe mundësia e fillimit të bashkëpunimit të Republikës së Kosovës dhe Serbisë në këtë fushë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Ministrja Tahiri konfirmoi se tashmë kemi arritur një pajtim në parim në Bruksel, që çështja e bashkëpunimit ndërshtetëror në fushën e transportit ajror mes Kosovës dhe Serbisë të vihet në agjendën e dialogut të Brukselit, pajtim i arritur në takimin e mbajtur në raundin e nëntorit 2014.
Ajo shprehu bindjen se ky pajtim do të konfirmohet edhe në takimin e nivelit të Kryeministrave dhe Përfaqësueses së lartë të BE-së, Mogherini i paraparë të mbahet në fillim të shkurtit.