Dështon referendumi për ndërtimin e centralit bërthamor në Bullgari
Sfoje, 28 janar - Ka dështuar referendumi për ndërtimin e një centrali bërthamor në Bullgari.
Kjo për shkak të pjesëmarrjes së ulët të bullgarëve që duhet të merrnin pjesë në votim që ky vendim të miratohej.
Të dhënat e para tregojnë se në referendum morën pjesë 20 për qind e rreth 7 milionë personave me të drejtë vote, ndërkohë që për të qenë i vlefshëm kërkohet një pjesëmarrje prej të paktën 60 për qind e votuesve.
Referendumi u iniciua nga opozita e majtë, pasi qeveria properëndimore e kryeministrit Boyko Borisov, vitin e kaluar anuloi një marrëveshje me Rusinë, në vlerë prej 10 miliardë eurosh, për ndërtimin e një kapaciteti atomik prej 2 mijë megavatësh në qytetin verior, Belene.
Aktualisht, Bullgaria ka një central atomik me kapacitet prej 2 mijë megavatësh në qytetin Kozloduy.