Delegacioni e Kosovës zhvilloi bisedime për energjinë me përfaqësuesit e BE-së
Prishtinë 26 janar - Delegacioni i Republikës së Kosovës, i përbërë nga Zëvendëskryeministrja e Kosovës Edita Tahiri dhe Naim Bejtullahu drejtori i KOSTT-it zhvilluan në Bruksel takime me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, Jean-Eric Paquet, Drejtor në Departamentin për zgjerim të Komisionit Evropian, Nicholas Cendrowicz dhe Ana Maria Boura.
Në këtë takim u bisedua për çështjet e energjisë ku delegacioni i Kosovës kërkoi angazhime të shtuara që procesi i zbatimit të marrëveshjes për energji të nis sa më shpejtë.
Pas takimit, zëvendëskryeministrja Edita Tahiri deklaroi se takimi ishte i frytshëm dhe të dyja palët u pajtuan që punët rreth zbatimit të marrëveshjes për energjinë duhet të avancojnë drejt fillimit të zbatimit praktik. Në këtë takim theks të veçantë i kushtuam kompletimit të planit aksional dhe angazhimit më të madh të të gjitha palëve në drejtim të qartësimit të obligimeve dhe afateve.
Ne potencuam se duhet të ndiqet një qasje sa më koherente në raport me marrëveshjen e arritur për energjinë e cila është nënshkruar në shtator të vitit 2013, dhe se BE-ja duhet të rris angazhimet për një proces efektiv të zbatimit praktikë të kësaj marrëveshjeje e cila mundëson normalizimin e bashkëpunimit ndërshtetëror mes Kosovës dhe Serbisë në fushën e energjisë si dhe krijon mundësitë e normalizimit të gjendjes në pjesën veriore të vendit si në kuptimin e qasjes së papenguar në asete dhe të dhëna ashtu edhe në normalizimin e pagesave për energjinë nga ana e konsumatorëve në atë pjesë të vendit.
Në këtë takim po ashtu u dakorduam që Marrëveshja kornizë për bashkëpunime në fushën e transmisionit mes Kosovës dhe Serbisë duhet të nënshkruhet nga tre palët, meqenëse BE-ja është faktor garantues i mbarëvajtjes së proceseve të implementimit.