Delawie:SHBA mbështet zhvillimin ekonomik të Kosovës
Prishtinë, 3 shtator - Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci ka pritur sot në takim Ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Greg Delawie, të cilin e ka njoftuar me zhvillimet ekonomike në vend, me theks të veçantë me prioritetet e MZHE-së.
Ministri Stavileci ka theksuar se zhvillimi i sektorit të energjisë dhe atij të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit janë bazë e zhvillimit ekonomik, ndërsa ka shtuar se janë duke punuar për të finalizuar projektet që janë në proces të realizimit.
Kreu i MZHE-së me këtë rast ka falënderuar ambasadorin Delawie për mbështetjen që SHBA-të i kanë dhënë dhe vazhdojnë ti japin Kosovës në të gjitha fushat, duke shtuar nevojën e thellimit të bashkëpunimi në fushën e ekonomisë.
Nga ana e tij, Ambasadori Delawie ka rikonfirmuar vazhdimësinë e mbështetjes së SHBA-së për zhvillimin ekonomik të Kosovës, ndërsa ka vlerësuar faktin që Qeveria ka vënë në prioritet të lartë zhvillimin ekonomik, me qëllim të përmirësimit të jetës së qytetarëve.