Çmimi i energjisë elektrike në Itali rritet me 131 për qind, i gazit me 94 për qind
Romë, 17 shkurt - Pavarësisht ndërhyrjeve të jashtëzakonshme të qeverisë italiane, në tremujorin e parë të vitit 2022 ndaj tremujorit të parë të vitit 2021 ka pasur një rritje prej 131% të energjisë elektrike për konsumatorin si edhe 94% të gazit.
Sipas Autoritetit Rregullator italian të Energjisë dhe Ambientit (ARERA), “paqëndrueshmëria e fortë e çmimeve që karakterizon këtë periudhë e bën veçanërisht të vështirë sigurimin e elementeve të besueshme të parashikimit”.
“Megjithatë, mbetet një situatë e paqëndrueshmërisë së konsiderueshme në çmimet e ardhshme për vitin aktual, të cilat, pas rënies në ditët e para të vitit, rreth 65 euro për gazin dhe 170 euro për MWh për energjinë elektrike (vlerat mesatare të vitit 2022), janë ripozicionuar me shpejtësi ditët e fundit rreth 80 euro për gazin dhe 200 euro për MWh për energjinë elektrike”, thekson ARERA.
“Edhe këto çmime, që mbeten mbi mesataret historike të çmimeve, megjithatë shfaqin një luhatshmëri relativisht të lartë, me variacione që priren të reflektojnë ndryshime në çmimet afatshkurtra të produkteve”, thekson Autoriteti Rregullator italian i Energjisë dhe Ambientit.