Certifikohen 53 auditorë të energjisë
Prishtinë, 24 shkurt - Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit (MEA), Muharrem Nitaj dhe rektori i Universitetit të Prishtinës (UP), Naser Sahiti, sot kanë ndarë certifikatat e auditorëve të energjisë.
Ministri Nitaj njoftoi se janë trajnuar 53 kandidatë, por në pa mundësi që të jenë të pranishëm të gjithë kandidatët për shkak të gjendjes me pandeminë, kanë ftuar tre nga ta që në mënyrë simbolike t’u ndahen certifikatat.
“Ministria e Ekonomisë dha Ambientit ka angazhuar Universitetin e Prishtinës për trajnimin e auditorëve për procesin e përformancës të vlerësuesve dhe certifikuesve të ndërtesave, projekt ky jashtëzakonisht i rëndësishëm që është ndihmuar nga GIZ-i gjerman, në këtë fazë të parë me punën e shkëlqyeshme të Universitetet të Prishtinës, është arritur që të trajnohen 53 auditorë”, tha Ministri Nitaj.
Rektori Sahiti tha se ky bashkëpunim dëshmon se janë të gatshëm për zgjerim të aktiviteteve edhe në fusha tjera.
“Si rezultat i bashkëpunimit, ne realizuam trajnimin ku certifikuam auditorë të energjisë. Është moment shumë i rëndësishëm të tregojmë se ne jemi të gatshëm për zgjerim edhe në fusha tjera”, tha Sahiti.
Kurse, kandidati i certifikuar, Fahrush Azemi tha se për një zhvillim të qëndrueshëm, segmenti i energjisë është shumë i rëndësishëm dhe po ashtu theksoi se duhet të merren masa në shumë objekte në Kosovë.
Projekti i certifikimit të auditorëve të energjisë është organizuar nga Agjencia e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, është financuar nga Qeveria gjermane përmes GIZ-it, ndërsa trajnimi është kryer nga UP, ku janë trajnuar 53 kandidatë, nga ta 17 janë arkitektë, 16 inxhinierë të Ndërtimtarisë, 12 inxhinierë të Elektros dhe 8 inxhinierë të Makinerisë.
Tre kandidatët që sot morën certifikatat janë Fahrush Azemi, Krenare Shkodra dhe Njomza Blaku.