Çeku: Mbyllja e "Kosovës A", gabim i madh
Prishtinë, 4 prill - Mbyllja e termocentralit Kosova A, është ndër gabimet më të mëdha që po bëhen në fushën energjetike në Kosovë, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ish-ministri i Energjisë dhe Minierave, Ethem Çeku.
"Është gabimi më i madh për fushën energjetike të Kosovës sepse vendin do ta lënë të varur nga kompanitë tregtare energjetike të rajonit dhe buxheti i Kosovës do të përballet me blerje tepër të shtrenjta të energjisë elektrike nga vende të ndryshme.
Analizat sipas tij kanë treguar që Kosova A, me investime të mira, mund të rehabilitohet dhe mund të kemi blloqe të mira të prodhimit të energjisë elektrike. Problem të dytë ai e sheh elementin social ku me qindra e mijëra punëtorë do të përballen me ndërprerjen e vendeve të punës.
"Mendoj se ekspertët që e kanë propozuar këtë, nuk e kanë pasur një pasqyrë të qartë se si duhet Kosova të mbulojë fushën deri në ndërtimin e blloqeve të reja. Do të thotë po i mbyllim të vjetrat, dhe ne duhet të blejmë rreth 150 - 200 milionë euro energji të vjetër derisa të ndërtohen blloqet e reja. Më duket se ky vizion është më tepër vizion tregtar sesa që është vizion, i cili i ndihmon zhvillimit ekonomik të vendit tonë", ka deklaruar ai.
Tash sipas Çekut i kemi vetëm 600 megavate prodhim nga blloqet e termocentralit Kosova B, do të thotë Kosovës i nevojiten në kushte të caktuara rreth 1200 megavate. Do të thotë, ne duhet të blejmë edhe 50 për qind të energjisë nga kompanitë e jashtme.
"Dhe, kjo formë, që të mbyllet Kosova A jashtë tregut, jashtë logjikës së analizave pse duhet të mbyllet Kosova A, e çon vendin në varshmëri të plotë në blerjen e energjisë dhe do ti godasë rëndë bizneset në Kosovë, sepse bizneset do të përballen me reduktime të mëdha të energjisë elektrike", ka pohuar Çeku.
/evropa e lire/