Çalik & Limak premton deri në 500 milionë euro investime
Prishtinë, 6 korrik - Privatizimi i KEDS-it është proces i drejtuar nga Qeveria, konform vendimit të Kuvendit për të kryer procedurat në mënyrë transparente, të hapur, konkurruese sipas standardeve ndërkombëtare, ka deklaruar ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj.
Këto komente Beqaj i bëri sot në takimin publik të Komitetit Qeveritar të Privatizimit të KEDS-it, ku Konzorciumi Çalik&Limak ka prezantuar strukturën e tij dhe planet e tij për investime në rrjetin e distribucionit në Kosovës.
Çdo vendim i marrë lidhur me KEDS-in në KQP është vendim i plotë, i harmonizuar me votim unanim në fazën finale është verifikuar në Qeverinë e Kosovës, e cila pas shpalljes së ofertuesit të preferuar ka marrë qëndrim që të procedohet më tej me fituesin e preferuar dhe të hyhet në marrëdhënie negociatore për definimin e kontratës në mes të KQP-së dhe Konzorciumit Çalik&Limak, tha ai.
Duke komentuar krahasimet e këtij procesi me vendet e rajonit, kreu i MZHE-së tha se për dallim nga Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi, Qeveria e Kosovës nuk ka marrë obligime ndaj investitorit, ka lënë jashtë privatizimit 110 kV, borxhet mbeten pronë e KEK-ut, ndërsa punëtorëve pavarësisht afatit të kontratave, u janë garantuar vendet e punës për tri vitet e ardhshme.
Ai ka tërhequr vërejtjen se nëse Qeveria konstaton se nuk respektohet kontrata nga ana e investitorit, do të ndërpresë kontratën dhe do të marrë në pronësi ndërmarrjen pa obligimet financiare.
Nga ana e tij, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, tha se kjo
Ministri në këtë proces është e angazhuar për të drejtat e punëtorëve, në veçanti për impaktin socio-ekonomik të tyre.
Sipas tij, ky ndryshim nuk do të ketë impakte negative, por përkundrazi do të ketë impakt pozitiv, fuqizim të ekonomisë familjare e punëtorëve nga aspekti financiar ngase punëtorët me kontrata afatshkurta do të kenë kontrata 3-vjeçare çka tregon përkushtimin e Qeverisë në këtë proces.
Më pas përfaqësuesi i Konzorciumit, Çalik&Limak Serhan Can ka prezantuar një historik të profilit dhe punës së realizuara nga kompanitë Çalik Holding dhe Limak dhe planet për KEDS-in gjatë 15 viteve të ardhshme.
Can ka premtuar deri në 500 milionë investime, nga të cilat 200 milionë në rrejtin aktual të shpërndarjes së energjisë, uljen vjetore të humbjeve për 3% dhe mbajtjen e burimeve njerëzore duke avancuar përgatitjet tyre përmes trajnimeve profesionale.
Çalik&Limak ka identifikuar si sfida humbjet jo- teknike, veriun e Kosovës, vjedhjen e energjisë, mungesën e matësve dhe shkallën e ulët e inkasimit, duke potencuar se qëllimi i tyre do të jetë zvogëlimi i humbjeve, promovimi i efiçiencës, përmirësimi i furnizimit dhe tarifa sa më të ulta të energjisë.
Në fund të takimit, ministri Beqaj në cilësinë e drejtuesit të KQP-së dhe përfaqësuesi i KonzorciumitÇalik&Limak, i janë përgjigjur interesimit të përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe sindikalistëve.
Ndryshe pjesëmarrësit në takim shprehën befasinë dhe indinjatën me sjelljet e dy deputeteve të Vetëvendosjes, të cilat duke shfrytëzuar pjesëmarrjen në takim përhapën një erë kundërmuese me qëllim të pengimit të takimit por pa sukses.