23 Dhjetor 2024

Bullgaria i jep fund projektit të Centralit Atomik Elektrik “Belene”

Sofje, 2 prill - Bullgaria heq dorë nga projekti i Centralit Atomik Elektrik “Belene”. Në sheshin e tij do të ndërtohet një central i gazit, ndërsa reaktori ekzistues do të instalohet në Centralin Atomik Elektrik “Kozlloduj”. Ky është vendimi definitiv i qeverisë bullgare.

Ministri i ekonomisë, energjetikës dhe turizmit Deljan Dobrev ditën e premte do të bisedojë në Moskë me kryeministrin Vlladimir Putin. Pritet, që zoti Dobrev të informojë zotin Putin për vendimin e kabinetit bullgar. Kështu saga më se 30 vjeçare me ndërtimin e Centralit Atomik Elektrik “Belene” do të përfundojë.

Kryeministri Bojko Borisov komentoi, se nuk është e lehtë të merret vendim për heqjen dorë nga projekti, në të cilin tashmë u investuan 1.8 miliard leva. Presidenti Rosen Plevneliev tha, se sipas llogarive efektiviteti ekonomik i këtij centrali është nën 3 për qind. Ai shtoi, se Bullgaria mezi tani duhet të diskutojë me Rusinë çmimet e gazit, të ndërtojë lidhje të gazit me Turqisë, Greqinë, Rumaninë dhe të realizojë me prioritet projektin “Rryma Jugore”.

Ndoshta vendimi më i rëndësishëm i kabinetit është, që me ndërprerjen e projektit “Belene”, u shpall ndërtimi i një centrali të gazit. Sipas disa ekspertëve, ky central do të lidhet me gazsjellësin rus “Rryma Jugore”, i cili do të kalojë përmes territorit bullgar.

Lidhur me këtë kryeministri Borisov tha, se planet e kabinetit janë, që deri në vitin 2015 “Rryma Jugore” të bëhet fakt, sepse me realizimin e këtij projekti Bullgaria do të bëhet një qendër e rëndësishme energjetike në Ballkan. Bullgaria ka shpresë për prapsje me 10 për qind nga çmimi i gazit gjatë bisedimeve të ardhshme me monopolistin rus “Gazprom”. Aktualisht Bullgaria është shteti i vetëm në mbarë Evropën, që paguan më shtrenjtë për gazin – 600 dollarë për një mijë metra kub gaz, përderisa Gjermania paguan mezi 330 dollarë.

Reagimet politike ishin divergjente. Koalicioni blu përkrahu idenë për centralin e gazit në vend të Centralit Atomik Elektrik “Belene”. “Në fillim ky central do të punojë me gazin rus, mirëpo në se realizohet lidhja me Turqinë dhe me vendet e tjera fqinje, atëherë do të kemi mundësi të shfrytëzojmë furnizues të larmishëm të gazit natyror”, komentoi lideri i Bashkimit të Forcave Demokratike Martin Dimitrov.

“Vendimi për “Belene” e kthen Bullgarinë në rrugën e vlerave evropiane”, theksoi lideri i Demokratëve për Bullgarinë e Fortë dhe bashkëkryetar i Koalicionit Blu Ivan Kostov. Nga ana e vet Partia Socialiste Bullgare në opozitë u shpreh, se “e ardhmja e energjetikës bërthamore bullgare është nën rrezik serioz. Likuidimi i saj filloi me angazhimin për mbylljen e blloqeve të tretë dhe të katërt të Centralit Atomik Elektrik “Kozlloduj”.

Bullgaria do të qëndrojë para nevojës të importojë rrymë elektrike nga jashtë”. “Tërhiqemi nga një projekti, i cili nga pikëpamja ekonomike nuk mund të kundërshtohet”, në mënyrë kategorike tha ish ministri energjetik dhe deputet nga partia socialiste Rumen Ovçarov.

Deputeti i partisë “Ataka” Pavell Shopov tha, se vendimi u miratua nën presionin e jashtëm dhe iu shërben interesave të huaja. Ai tregoi si shembull Turqinë, “e cila punon mbi katër centrale bërthamore, Rumaninë, e cila do të vazhdojë të zhvillojë energjetikën e vet bërthamore. Vetëm Bullgaria do të likuidojë në praktikë teknologjinë e vet të fundit të lartë. Dhe ky vendim është ndër gabimet më të mëdha, që u bënë brenda 20 viteve të fundit”, shtoi zoti Shopov.

Moska akoma nuk ka shprehur qëndrimin e vet zyrtar mbi vendimin e qeverisë bullgare. Pritet, që ai të shpallet pas vizitës së ministrit Deljan Dobrev në kryeqytetin rus. Mediat ruse botuan deklaratën e shefit të firmës “Rosatom” Sergej Kirienko, se “tërheqja e autoriteteve bullgare nga Centrali Atomik Elektrik “Belene” nuk do të përbëjë një humbje të konsiderueshme për “Rosatom”-in, me gjithë që u harxhuan shumë kohë dhe forcë.

Doemos do të jetë një turp në se projekti nuk do të realizohet” shprehu pozitën e palës ruse Sergej Kirienko. Në lidhje me vendimin e qeverisë bullgare për ndërprerjen e projektit “Belene”, Brukseli tha, se vendi vet duhet të vendosë si do të sigurojë rezervat energjetike dhe ku do të instalojë reaktorët bërthamorë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)