23 Dhjetor 2024

BSPK e kundërshton shtrenjtimin e energjisë elektrike

Prishtinë, 27 qershor - Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) e kundërshton fuqishëm shtrenjtimin e energjisë elektrike në Kosovë prej rreth 9 për qind.
 
Kreu i BSPK-së, Haxhi Arifi, tha në një konferencë për media se ngritja e çmimit të rrymës mund të ketë efekte zingjirore edhe në ngritjen e çmimeve tjera, dhe kjo është e papërballueshme për popullatën e Kosovës.

Duke u bazuar në situatën e rëndë sociale momentale të punëtorisë dhe popullatës kosovare, BSPK konsideron se vendimi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për rritjen e çmimit të energjisë elektrike prej rreth 9 % është një vendim i pakuptimtë, ngase tarifat e tilla të energjisë elektrike jo vetëm që do ta rëndojnë ekonominë kosovare, por kjo rritje do të ndikoj edhe më shumë në varfërimin e qytetarëve të Kosovës dhe punëtorisë kosovare të cilët edhe ashtu e kanë pagën më të ultë në regjion, thuhet në kumtesën e  BSPK-së.

Arifi, theksoi se KEK-u me një menaxhim më të mirë dhe me eliminimin e humbjeve, do të mund të arrinte të operonte, pa pasur nevojë për shtrenjtim të rrymës.

Ai theksoi se do të kërkojë nga kryeministri Hashim Thaçi, Kuvendi dhe ZRRE-ja, që ta rishikojnë këtë vendim.

“Edhe njëherë po kërkojmë nga kryeministri dhe besoj që ai do ta shqyrtojë në kabinetin e tij, dhe jam i bindur se nëse e logjikojnë pak më shtruar këtë problem të ngritjes së çmimit dhe gjendjes ta quajmë alarmante të popullit të Kosovës besoj që është e rrugës që ta tërheqin këtë ngritje të çmimit”, tha ai.

Kreu i BSPK-së, Haxhi Arifi, tha se ky vendim është i papërballueshëm dhe po i dëmton edhe më tej banorët e vendit, pasi ndikon në ngritjen zingjirore të çmimeve edhe të artikujve tjerë.

“Me këtë rast BSPK shpreh shqetësimin e vet, ngase ky institucion punëtorësh gjithmonë është i interesuar që ta ruaj qetësinë sociale të këtij shteti të rij, andaj me këtë rast kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që të intervenoj dhe ndikoj në anulimin e vendimit të cekur të BZRRE-së”, ka theksuar Arifi.

Ndonëse pranon se ZRrE-ja është organ i pavarur që i përgjigjet vetëm Kuvendit të Kosovës, Arifi insiston se kryeministri Thaçi mund ta tërheqë këtë vendim. Por, në rast se nuk merren parasysh kërkesat e BSPK-së, Arifi thotë se mund të marrin hapa tjerë.

“Ne po insistojmë që këtë ta zgjidhim përmes dialogut, sepse këtë mund ta bëjë qeveria, gjegjësisht personat që janë përgjegjës, por nëse jo atëherë jemi duke e shqyrtuar në mesin tonë që një ditë ndoshta do të dalim e ndoshta do të ftojmë popullatën, nëse ka nevojë që ndoshta duhet ta bojkotojnë edhe pagesën, derisa nuk mbushen mend”, theksoi Arifi.







 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)