Bota drejt rrugës për t'u ngrohur deri me 2 gradë Celsius
Washington, 26 nëntor - Një raport i ri shkencor publikuar nga Banka Botërore konstaton se ndërsa planeti ynë ngrohet, valët e nxehtësisë dhe ekstremet e tjera klimatike që kanë ndodhur dikur një herë në 100 vjet apo më shumë, do të bëhen \"një normalitet i ri.\"
Raporti paralajmëron se bota është drejt rrugës për t\'u ngrohur deri me 2 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale. Kjo tendencë thonë ekspertët do të shkaktojnë ndryshime të pakthyeshme në një shkallë të madhe.
Raporti i ri është i treti në një seri studimesh nga Banka Botërore të titulluara Turn Down the Heat: Confronting the New Climate Normal. Nënpresidentja e Bankës Botërore dhe e dërguara speciale për Klimën Rachel Kyte thotë se ndotja nga karburanti fosil që është shtuar në atmosferë gjatë tre dekadave të fundit ka bërë të pakthyeshme një rritje prej 1.5 gradë Celsius të temperaturave deri në mes të shekullit.
\"Kjo do të thotë se nuk bëjmë dot shumë për këtë pra duhet të jemi në gjendje të adaptohemi dhe të përshtatemi me këtë ndryshim. 1.5 gradët do të kenë një ndikim të madh në mundësitë e zhvillimit në mbarë botën.\"
Raporti përqëndrohet në tre rajone: Amerikën Latine, Ballkanin Perendimor dhe Azinë Qëndrore dhe Lindjen e Mesme. Ajo që kanë të përbashkët këto rajone është rreziku që përbën nxehtësia ekstreme. Zonja Kyte thotë se në Amerikën Latine, studimi parashikon se nga ky ndryshim do të vuajnë të gjithë sektorët e ekonomisë.
\"Kështu për shembull prodhimi në bujqësi mund të shoh gati 70 përqind pakësim të rendimentit për sojën dhe 50 përqind pakësim në rendimentin e grurit deri në vitin 2050. Për një ekonomi të strukturuar si Brazili, kjo mund të ketë ndikim të madh.\"
Në pjesë të tjera të botës, trajektorja e ngrohjes do të ndikojë tek burimet ujore. Zonja Kyte thekson Azinë Qendrore dhe Ballkanin Perendimor ku shtimi i shkrirjes së akullnajave rrit rrezikun e përmbytjeve dhe ndryshimi i kohës së rrjedhës së ujit pakëson sasinë e tij kur është i nevojshëm në muajt e verës për drithërat.
\"Kjo do të ketë ndikim në prodhimin bujqësor, bagëtitë dhe jetën urbane dhe në fakt sigurinë për gjithë rajonin.\"
Hulumtimet për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut tregojnë gjithashtu kërcënime për sigurinë e ujit. Zonja Kyte thotë se rajoni do të përballet me një pakësim prej 40 prvqind të shirave deri në vitin 2040.
\"Kjo do të thotë se do të ketë nxehtësi ekstreme në qytete. Do të ketë ndikim në sistemet bujqësore. Pra siguria e ushqimit do të ndikohet dhe kjo do të ketë ndikim të jashtëzakonshëm në atë që është tashmë rajoni që vuan më shumë nga thatësira në botë. \"
Kyte thotë se bota nuk mund të vazhdojë në drejtimin e tanishëm të papërgjegjshmërisë së emetimit të gazeve që rrisin temperaturat. Ndryshimi i kësaj tendence do të dojë vullnet politik, dicka për të cilën ajo do të vëzhgojë muajt e ardhshëm ndërsa përfaqësues nga 200 vende do të mblidhen në Lima të Perusë, për negociata të rëndësishme mbi traktatin e ri global për klimën