Borxhet e rrymës në veri: Si do t'i grumbullojë KEDS-i
Prishtinë, 8 dhjetor - Që nga përfundimi i luftës jo të gjithë konsumatorët në Kosovë paguajnë faturat e energjisë së shpenzuar. Konsumatorët në pjesën veriore të Mitrovicës, që furnizohen nga termocentralet e Korporatës Energjetike të Kosovës, gjatë kësaj dekade vetëm kanë shpenzuar energji dhe asnjëherë nuk kanë paguar.
Që 13 vjet me radhë, KEK-u nuk ka pasur qasje në atë pjesë, madje në këtë rajon veprojnë në mënyrë ilegale dy operatorë të palicencuar serb.
Qasje në atë pjesë nuk mund të ketë as pronari privat Limak Çelik i Distribucionit të Furnizimit më Energji Elektrike, i njohur më shkurtesën KEDS..
Madje, ky konsorcium nuk ka informacione sa është borxhi i grumbulluar në atë pjesë.
Në një përgjigjje përmes postës elektronike, Guri Shkodra, zëdhënës në KEDS, përgjigjet se nuk mundet të komentojë në lidhje më borxhet për shkak të mungesës se informatave.
Momentalisht, Kosova dhe Serbia janë ne fazën e finalizimit te marrëveshjes së implementimit. KEDS nuk është pjese e bisedimeve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe nuk mund të komentojë në lidhje me borxhe, kjo edhe për shkak të mungesës së informatave. Për më shumë, KEDS është i vetmi furnizues publik në gjithë territorin e Kosovës, duke përfshirë edhe veriun, thotë Shkodra.
Përderisa, zyrtarë të KEDS-it, nuk kanë ndonjë përllogaritje të përafërt për borxhin e krijuar, zyrtarët e KEK-ut, vitin e kaluar patën thënë për Radion Evropa e Lirë, se borxhi i përgjithshëm i konsumatorëve në pjesën veriore të Mitrovicës, që nga përfundimi i luftës vlerësohet të jetë mbi 100 milionë euro.
Është energji e jona, mirëpo nuk mund ta faturojmë as ta inkasojmë, për shkak të rrethanave tashme të ditura. Borxhi tashmë sillet mbi 100 milionë euro, sigurisht që nuk mund të flasim me shifra të sakta, si pasojë e mungesës se qasjes, mirëpo aty sillet shifra, pasi kohëve të fundit, krijohet një borxh prej 20 milionë euro në vit, pati deklaruar Buzhala vitin e kaluar.
Në anën tjetër përfaqësues të shoqërisë civile dyshojnë se KEDS do arrijë të mbledhë borxhet e grumbulluara në pjesën veriore të Mitrovicës.
Kushtrim Puka, nga Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë për Energji, arsye për këtë vlerëson situatën aktuale politike.
Në pjesën veriore qysh nga përfundimi i luftës vazhdojnë të kenë rrymë dhe vazhdojnë të mos paguajnë rrymën, ndërsa qytetarët e Kosovës, menjëherë ndëshkohen".
"Ndërsa ata vazhdojnë të përfitojnë energjinë e cila prodhohet nga termocentralet tona e të cilën nuk e paguajnë. Gjasat për tu mbledhur borxhet në atë pjesë janë thuajse barabartë më zero, për shkak të problemeve politike dhe pamundësisë së KEDS-it për të operuar në pjesën veriore, thekson Puka.
Në pamundësi të grumbullimit të borxheve, operatori privat po ndëshkon konsumatorët në pjesë të ndryshme të Kosovës, konsideron Puka, duke shtuar se për çdo vonesë të pagesës së faturës së shpenzuar, u shkëputet energjia.
Nëse një konsumatorit në cilin do qytete të Kosovës, iu shkëputet rryma në momentin që nuk e paguan. Ku KEDS -i po mundohet më rritë mbledhjen e borxheve në mënyra sa më efikase".
"Për qytetarët në këtë pjesë po duhet të respektohet ligji, të pagujanë faturat, në mënyrë që të kenë rrymë dhe prapë përballën më reduktime. Ndërsa në pjesën veriore ata njerëz në dekadën e fundit vazhdimisht kanë rrymë, nuk ballafaqohen më reduktime të vazhdueshme hhe nuk paguajnë faturat e shpenzuara të energjisë elektrike, shprehet Puka.
Ndryshe, tashmë një vit, Distribucioni dhe Furnizimi më Energji Elektrike, është privatizuar nga konsorciumi turk Limak& Çalik.