Bordi i ZRRE-së nuk kompletohet as këtë javë
Prishtinë, 28 mars - Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë nuk do të mund të kompletohet këtë javë. Komisioni parlamentar për zhvillim ekonomik nuk i ka miratuar emrat e propozuar nga qeveria, ndërkaq tani i mbetet Kuvendit të Kosovës të vendosë për këtë.
Derisa nuk kompletohet bordi, nuk do të mund të merret vendim as për tarifat e reja të energjisë elektrike.
Pas skadimit të mandatit të Ali Hamitit, në krye të bordit të ZRRE-së qeveria ka propozuar të emërohet Enver Halimi, i cili deri tani ka qenë anëtar i këtij bordi. Ndërkaq për anëtarë të bordit ka propozuar Krenar Bujupin dhe Ali Latifajn.
Kryetari i komisionit parlamentar për zhvillim ekonomik, Zenun Pajaziti, tha për Radio Kosovën se komisioni ka vlerësuar se këta kandidatë i përmbushin kriteret profesionale për tu emëruar në bord.
Ne e kemi marrë propozimin e qeverisë. Ajo që ne na duhet si komision është të trajtojmë anën profesionale të tyre, d.m.th. CV-të e tyre dhe përvojën e tyre në fushën e caktuar. Sa i përket kësaj, është vlerësuar se këta janë persona adekuatë.
Por anëtarja e komisionit nga radhët e AKR-së, Myzejene Selmani, thotë të kundërtën. Ajo thekson se të dy kandidatët i përkasin sferës së makinerisë dhe jo asaj të energjisë, e përveç kësaj Krenar Bujupi ka kontratë me Bankën Botërore që paraqet konflikt interesi.
Komisioni ka marrë vendim që emrat ti kthehen qeverisë dhe qeveria të sjellë emra tjerë, për arsye se një person që është mandatar nga qeveria është konsulent me kontratë afatgjate në projektin e Bankës Botërore për sektorin e energjisë.
Kryetari i Komisionit, Zenun Pajaziti thotë se për këtë është konsultuar me zyrën ligjore dhe se kjo nuk paraqet kurrfarë konflikti të interesit. Megjithëkëtë anëtarja e komisionit, Myzejene Selmani theksoi se ata nuk kanë marrë miratimin e komisionit, dhe tani i mbetet Kuvendit të vendosë.
Sipas të gjitha gjasave do të kthehen në qeveri, sepse nuk kanë marrë dritën e gjelbër prej komisionit parlamentar dhe të shohim se çfarë do të ndodhë në seancën plenare, tha ajo.
Ndryshe, ZRRE-ja është organ i pavarur që i raporton Kuvendit, ndërkaq bordi i ZRRE-së përbëhet nga 5 anëtarë. Puna e parë e bordit të ri do të jetë shqyrtimi i çmimit të energjisë elektrike, që nga zyra e Rregullatorit është propozuar të shtrenjtohet për 7.6 për qind. (rtk)