23 Dhjetor 2024

Bordi i KEK-ut rrezikohet të shkarkohet nëse se largon Gjukajn

Prishtinë, 21 mars - Për Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik çështja e shkarkimit të Arben Gjukajt është punë e kryer.

Gëzim Baxhaku, këshilltar i ministrit Besim Beqaj, tha se me Ligjin për Ndërmarrjet Publike, nëse Bordi i KEK-ut nuk i bindet aksionarit, në këtë rast MZHE-së, atëherë aksionari do ta shkarkojë bordin.

Shkarkimi i drejtorit menaxhues të Korporatës Energjetike të Kosovës, Arben Gjukaj, është çështje e kryer. Së paku kjo punë ka marrë fund për ata që e morën këtë vendim. Në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik thonë se këtë çështje e rregullon shumë mirë Ligji për Ndërmarrjet Publike, i cili tregon se çdo vendim i aksionarit është i pakontestueshëm.

Këshilltari në këtë ministri, Gëzim Baxhaku, tha se nëse bordi nuk i zbaton vendimet e aksionarit, atëherë shkarkohet komplet bordi.

“Komisioni qeveritar për ndërmarrje publike e mbron aksionarin. Këto interesa të aksionarit realizohen përmes bordit të ndërmarrjes. Pra, në momentin kur bordi nuk i bindet aksionarit, atëherë në bazë të ligjit shkarkohet”, ka thënë Gëzim Baxhaku, këshilltar në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.

Burime të afërta me këtë proces brenda Qeverisë kanë thënë se zvarritja e procedurave për shkarkim është një lojë e kryesuesit dhe anëtarëve të bordit të KEK-ut, shkruan Express.

Sipas tyre, me Ligjin për Ndërmarrjet Publike definohet qartë që kur aksionari merr një vendim ai menjëherë është edhe i zbatueshëm.

“Kjo zvarritje e procedurave është një lojë e bordit të KEK-ut sa për ta shtyrë edhe ndonjë ditë shkarkimin e drejtorit. Kjo tashme është çështje e kryer”, ka thënë ky zyrtar i afërt me këtë proces.

Pas vendimit të Komisionit Qeveritar për Ndërmarrje Publike, me të cilin urdhëroi shkarkimin e Gjukajt nga pozita e drejtorit, bordi i KEK-ut u mblodh të shtunën e kaluar për të shqyrtuar këtë vendim.

Në këtë mbledhje anëtarët e bordit i kanë bërë disa vërejtje raportit të ZRRE-së, në bazë të të cilit edhe u kërkua shkarkimi i Gjukajt.

Bordi kërkoi një raport përfundimtar nga ZRRE, me vërejtjet e tyre në mënyrë që të zbatojë ose jo vendimin e aksionarit, që në këtë rast është Qeveria e Kosovës.

Në anën tjetër, anëtarët e bordit të KEK-ut tash sa kohë nuk flasin asgjë rreth kësaj çështje. Ata nuk pranuan të komentojnë asgjë rreth shkarkimit apo jo të Gjukajt. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)