Bordi i Drejtorëve i KEK përkrah lëshimin në punë të TC Kosovës A
Prishtinë, 3 korrik - Pas takimit të jashtëzakonshëm të mbajtur, sot Bordi i Drejtorëve i Korporatës Energjetike të Kosovës, konfirmon mbështetjen e plotë për hapat e ndërrmarur nga menaxhmenti për tejkalimin e gjendjes së shkaktuar pas aksidentit në Termocentralin Kosova A.
Bordi i Drejtorëve ka mbështetur masat e ndërrmarra në përgatitjen tekniko-teknologjike për rifillimin e punës së njësisë A3, e cila pritet ta fillojë punën deri në fund të kësaj jave. Njëkohësisht, Bordi përkrah hapat e ndërrmarrur nga menaxhmenti në inicimin e procedurave ligjore për fillimin e menjëhershëm të riparimeve të nevojshme në njësitë A4 dhe A5 të Termocentralit Kosova A .
Bordi i Drejtorëve është njoftuar rreth statusit të gjetjeve të menaxhmentit lidhur me rrethanat që kanë ndikuar në këtë aksident, dhe njëkohësisht ka ripërsëritur mbështetjen e organeve kompetente për të kryer hetim të plotë, me qëllim të përmirësimit të kushteve të punës, cilësisë së shërbimeve ndaj klientëve dhe parandalimin e ndodhive të ngjashme në të ardhmen.
Bordi vlerëson se të gjithë akterët e sektorit energjetik duhet të njohin dhe përkrahin veprimet që është duke ndërmarr KEK-u, në tejkalimin e situatës emergjente në të cilën gjendemi për sa i përket stabilizimit të gjenerimit të energjisë.
Në këtë vijë, kërkohet një mirëkuptim edhe nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, që të reflektojë në situatën e krijuar dhe të veprojë konform autorizimeve ligjore që ka.