Bie njësia B1 e TC Kosova B
Prishtinë, 4 korrik - KESCO është informuar se njësia B1 e termocentralit Kosova B është ndalur së prodhuari nga mesnata ndërmjet të dielës dhe të hënës.
Kjo është ndalje e paplanifikuar dhe ndodhi vetëm një ditë pasi njësia B2 ishte ndalur gjithashtu në mënyrë të paplanifikuar. Prandaj, aktualisht të dy njësitë e Kosovës B janë jashtë prodhimit.
Kjo në nënkupton se vetëm Brenda dy ditësh është reduktuar prodhimi me mbi 70 për qind. Ekipet e KESCO-s janë duke bërë të pamundurën që të sigurojnë energji shtesë nga importi, por kjo është shumë e vështirë, sidomos gjatë orëve të para për shkak të rregullave ndërkombëtare. KESCO është e detyruar që të gjejë energji shtesë nga importi para ditëve të rëndësishme, sic ishte e detyruar edhe të shtunën dhe kishte reaguar menjëherë duke arritur në kohë të shkurtër ti furnizojë qytetarët me energji pa ndërprerje pas rënies së paplanifikuar të njësisë B2. KESCO është e përgatitur që të furnizojë konsumatorët si në terma afatshkurtër ashtu edhe më afatgjatë. Por, mungesa e përnjëhershme e 70 për qind të prodhimit e vë në vështirësi, pasi duhet siguruar sasi e madhe e energjisë për një kohë shumë të shkurtër që të mbulohet GEP-I ndërmjet prodhimit të pakët dhe konsumit që pritet të rritet edhe më tepër gjatë festës së Bajramit.
KESCO kërkon ndjesë nga konsumatorët, por kjo ka ndodhur si rezultat i reduktimit të paplanifikuar të prodhimit që nuk është nën kompetencat e KEDS/KESCO-s, thuhet në komunikatën e KEDS/KESCO-s.