Beteja për gazin
Vjenë , 23 qershor - Projekti TAP do të rrisë sigurinë e energjisë së Evropës dhe diversitetin, duke siguruar një burim të ri të gazit, ku tubacioni do të transportojë gazin natyror nga Shah Deniz II në Azerbajxhan përmes Greqisë dhe Shqipërisë për në Itali.
Ndërsa në 28 Qershor konsorciumi i Shah Deniz në Azerbajxhan do të marrë vendimin për projektin fitues, mes TAP dhe Nabucco West, që do të çojë gazin në Evropë, burime zyrtare të TAP-it njoftojnë se dje ministria e Mjedisit, Energjisë dhe Ndryshimeve Klimatike, (MEECC) dhe TAP (Adriatik Trans Pipeline), firmosën në Athinë marrëveshjen për gazsjellësin që kalon përmes territorit grek.
Burime zyrtare të TAP-it bënë të ditur se marrëveshja përcakton kornizën sipas të cilës, projekti do të realizohet dhe operohet në territorin grek.
TAP-i, përveçse konsiderohet një nga burimet më të mëdha të investimeve të huaja direkte në Greqi me afër1.5 miliardë Euro, parashikon të krijojë vende të reja pune për industritë prodhuese, shërbimet, transport, komunikim, financiare dhe shërbimet e biznesit. Llogaritet që të krijohen punësim direkt për 2 000 vetë dhe indirekt 10.000 të tjerë.
Projekti TAP do të rrisë sigurinë e energjisë së Evropës dhe diversitetin, duke siguruar një burim të ri të gazit, ku tubacioni do të transportojë gazin natyror nga Shah Deniz II në Azerbajxhan përmes Greqisë dhe Shqipërisë për në Itali, nga ku mund të transportohen më tej në Evropën Perëndimore dhe Evropën Qendrore.
Seksioni i tubacionit me gjatësi rreth 550 km të TAP në Greqi do të nisë në Kipoi në kufirin turko-grek, për të hyrë më tej në teritorin shqiptar.
Kjetil Tungland, Drejtori Menaxhues i TAP, deklaroi: \"Ne kemi tani të gjitha marrëveshjet e nevojshme politike në vend për vendimin e Shah Deniz. Unë mbetem absolutisht i bindur se propozimi ynë është më i forti nga pikat teknike tregtare dhe politike me mbështetjen e qeverive\".
Ndërsa Rikard Scoufias, Drejtor i TAP, për Greqinë, shtoi: \"Kjo arritje rezulton jo vetëm një komponent i rëndësishëm për sigurimin e Greqisë dhe ofertën e TAP për Korridorit Jugor të Gazit, por përbën gjithashtu një pikë referimi ndërkombëtare në aspektin e krijimit të një klime pozitive për investime.
Me mbështetjen e dhënë nga qeveria dhe Parlamenti grek ndjej se jemi mirë në rrugën tonë për të ofruar një projekt, që do të ketë ndikim të dukshëm pozitiv mbi Greqinë, rajonin si dhe objektivat evropiane të energjisë\".
Të bindur se shanset janë të mëdha për Trans Adriatic Pipeline (TAP) që të shpallet fitues, drejtuesit e projektit të gazsjellësit, që kalon dhe përmes Shqipërisë, kanë dorëzuar tek konsorciumi një bilanc me avantazhet që afron, ku pikë e fortë konsiderohet rruga më e shkurtër dhe drejtpërdrejtë e tubacionit nga kufiri greko-turk, në Itali si një zgjidhje one-stop-shop.
Përveç kësaj lidhjeje direkt me tregjet kryesore europiane, TAP mundëson burime të sigurta furnizimi, që sjellin përfitime për vendet e Europës Juglindore dhe krijon mundësi të reja në Ballkanin Perëndimor, në përputhje me politikën energjetike të BE-së.
Gazsjellësi TAP ndjek një gjurmë të mirëplanifikuar tokësore dhe detare, minimizon rrezikun, ndikimin mbi mjedis dhe komunitetet vendore.
Si avantazh ka faktin, që kapaciteti mund të zgjerohet në mënyrë të shpejtë dhe të thjeshtë nga një pikë fillestare prej 10 mmk/vit në 20 mmk/vit dhe më shumë, me kosto minimale, ku garanci jep siguria financiare e aksionerëve.
Në dokument nënvizohen aspektet më të rëndësishme teknike: përfundimi i projektimit inxhinierik fillim-mbarim (mars 2013); janë analizuar 10,000 kilometra; është marrë leja mjedisore në Shqipëri (prill 2013), kanë përfunduar marrëveshjet në rang politik, etj.
Pikë e fortë e TAP është fakti se gazsjellësi me gjatësi 867 kilometra ofron rrugën më të shkurtër për në tregjet europiane dhe të zbatueshëm nga ana tregtare.
Duke u lidhur direkt me gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) dhe duke vazhduar më tej nga kufirit turk, TAP-i ndjek rrugën më të shkurtër të mundshme deri në tregun e dytë më të madh në Europë, në Itali.
Volumi i gazit i transportuar përmes TAP-it në Itali mund të transportohet më tej përmes rrjedhjes në drejtim të kundërt fizik përmes sistemit Trans Austria Gas (TAG) dhe \"Transitgas\" drejt tregjeve të Europës Veriperëndimore.
Gjithashtu, rrugës për në Itali, TAP-i ofron mundësi të shumta për shitësit e gazit, që mund të sjellin energji në tregjet e zhvilluara të gazit, përfshirë Greqinë dhe Bullgarinë.
Duke u lidhur me TANAP-in ky gazsjellës mund të ndihmojë furnizimin me gaz të vendeve të Europës Juglindore, përfshirë Bullgarinë, Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi, Kroacinë, etj.
Faktor plus për aksionerët e TAP-it janë edhe studimet e tyre të fizibilitetit për eksplorim dhe mundësitë e krijimit të rezervave të gazit në Shqipëri. Me gjurmën e tij gazsjellësi TAP ofron shanse për furnizim me burime të reja gazi në tregjet e mëdha të gazit në pjesën tjetër të Europës.
Mbështetja politike e vendeve rajonale është po ashtu pikë e fortë, pasi ministrat e Jashtëm të Malit të Zi, Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Kroacisë, Greqisë dhe Italisë në një takim së fundi në Dubrovnik ranë dakord që të mbështesin fort politikisht gazsjellësin TAP, si mundësi e mirë për zhvillimin dhe qëndrueshmërinë e furnizimit me gaz për rajonin.
Ata ranë dakord që projektet TAP dhe IAP ( Ionian-Adriatic Pipeline) janë në përputhje me interesat e Komunitetit të Energjisë dhe objektivat e Bashkimit Europian për diversifikimin e rrugëve të transportit dhe shtimin e burimeve natyrore të gazit.
Kalimi i gazit përmes tubacioneve të TAP nga Azerbajxhani e më pas për në Greqi, Itali dhe Shqipëri, si pjesë e Korridorit të Jugut është opsion tërheqës jo vetëm nga pikëpamja strategjike, por edhe tregtare.
Ministrat ranë dakord të mbështesin dy gazsjellësit TAP dhe IAP, si mundësi që siguron furnizim të mjaftueshëm veçanërisht për Europën Juglindore, diskutuan mbi detyrimet që lindin nga zhvillimi, financimi dhe ndërtimi i dy gazsjellsave si dhe përgatitjet që priten nga tregu të gazit që do të vijë nga deti Kaspik.
Projekti i gazsjellësit IAP synon të lidhë rrjetin e furnizimit të vendeve të Ballkanit, ku tubacionet do të kenë si pikë takimi me TAP, qytetin e Fierit, për të vijuar me një degëzim që do të vazhdojë në Split (Kroaci), do të kalojë në territorin e Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinë.
TAP-i ka një gjatësi prej 867 km, ku 547 km kalojnë përmes Greqisë, 211 km përmes Shqipërisë, 104 km në detin Adriatik dhe 5 km në Itali. Pika më e lartë e tubacionit të TAP-it në 1.800 metra mbi nivelin e detit kalon në malet shqiptare, ndërsa është 810 metra niveli më i thellë në det.