Besim Beqaj nuk vendos për tarifat e energjisë, por ZRRE
Prishtinë, 19 mars - Deklarata e ministrit të Zhvillimit Ekonomik (MZHE) Besim Beqaj se nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike mund të jetë e hershme, pasi është Bordi i ZRRE-së që vendos për tarifat e energjisë elektrike. Janë shumë faktorë që ndikojnë në ndërtimin e tarifës së energjisë elektrike.
Në raportin konsultativ të ZRRE-së është thënë se një nga faktorët që mund të ndikojë në shtrenjtimin e energjisë për konsumatorët e amvisërisë është obligimi që ka marrë Kosova me nënshkrimin e traktatit të energjisë për eliminimin e ndërsubvencioneve.
Sipas ligjeve të miratuara, Kosova duhet ti eliminojë ndërsubvecionet në mes të kategorive të ndryshme të konsumatorëve deri në fund të vitit 2014.
Deri më tani në Kosovë bizneset kanë paguar çmim më të lartë të energjisë, krahasuar me konsumatorët e amvisërisë.
Në rast se bëhet eliminimi i ndërsubvencioneve atëherë çmimi për konsumatorët e energjisë do të shtrenjtohet, ndërsa do të lirohet çmimi për konsumatorët e mëdhenj apo bizneset shkruan, Koha Ditore.
Me eliminimin e ndërsubvecioneve nuk rriten të hyrat e KEK-ut, por vetëm bëhet bartja e të hyrave nga bizneset tek amvisëria.
Pra, edhe nëse të hyrat maksimale të lejuara të KEK-ut dhe KOSTT-it nuk rriten, nëse ZRRE-ja vendos që nga ky vit të nisë eliminimi i ndërsubvencioneve, prapë do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike për amvisëritë.