Beqaj: Kosova e gatshme ti realizojë të gjitha obligimet që dalin nga Traktati i Energjisë
Në këtë takim Kosova ka marrë pjesë me kapacitet e shtetit të pavarur dhe sovran dhe pa pjesëmarrjen e UNMIK-ut.
Duke folur në Takimin e Dhjetë të Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë, ministri Beqaj ka theksuar se në kuadër të realizimit të objektivave zhvillimore dhe obligimeve kushtetuese dhe ligjore, Kosova ka ndërmarrë aktivitete konkrete në drejtim të ndryshimeve strukturore edhe në lëmin e energjisë.
Ministri Beqaj potencoi rolin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë në procesin e më tejmë në këtë sektor, duke theksuar rolin e Rregullatorit sa i përket çmimeve të energjisë elektrike, investimeve në ketë lëmi dhe çështjeve të tjera rregullatore.
Kreu i MZHE-së foli edhe për investimet në këtë lëmi duke potencuar investimet në ndërtimin e hidrocentraleve në regjionin e Deçanit ku një kompani austriake ka investuar mjete të konsiderueshme në ndërtimin e HC me kapacitet të përgjithshëm prej 23 MË.
Kosova është e përkushtuar që deri në vitin 2017 të kryhet dekomisionimi i TC Kosovës A, ashtu siç është premtuar, tha ministri Beqaj.
Ai informoi të pranishmit që Kosova gjatë vitit 2013-2014 do ti përfshijë në ligjet e vendit dispozitat dhe obligimet nga pakoja e tretë e direktivave të Komunitetit të Energjisë, ndërsa implementimi i tyre do të fillojë në vitin 2015.
Ministri Beqaj gjithashtu kërkoi dhe Këshilli i Ministrave të Komunitetit të Energjisë aprovoi kërkesën e tij që të përshpejtohet procedura lidhur me përfundimin e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë lidhur me kontestin që KOSST-it dhe KEK-ut kanë me kompaninë Elektroprenos dhe EPS nga Serbia.
Takimi aprovoi edhe rregulloret dhe direktivat përkatëse për statistikat, të cilat në mes të tjerash do të mundësojnë transparencë më të madhe në çmimet e energjisë elektrike dhe për gazin natyror si dhe për burimet e ripërtritshme të energjisë.
Direktiva për burimet e ripërtritshme të energjisë do të krijon infrastrukturën ligjore në drejtim të zhvillimit të sektorit të BRE-ve dhe do të mundësojë caktimin e cakut të cilin duhet arritur deri në vitin 2020.
Me propozimin e ministri Beqaj, Këshilli i Ministrave aprovoi që shoqëria civile të përfshihet sa më shumë që është e mundur në realizimin e Strategjisë së Energjisë së Komunitetit të Energjisë, duke thënë mendimet dhe sugjerimet e veta lidhur me ndikimin e këtyre projekteve në mbrojtjen dhe ruajtjen e ambientit.
Ministri Beqaj ka shprehur përkrahjen e Kosovës në zgjedhjen e Janez Kopaq, kuadër nga Sllovenia për drejtor të Sekretariatit të Komunitetit të Biznesit.