Beqaj: Edhe pas privatizimit interesat e punëtorëve të mbrohen
Prishtinë, 24 tetor - Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj ka pritur sot një delegacion të Sindikatës së Distribucionit dhe Furnizimit të prirë nga kryetari i saj, Fehmi Pajaziti me të cilët diskutoi zhvillimet e fundit në këtë kompani.
Në takimin që u mbajt me kërkesë të sindikalistëve, i pranishëm ishte edhe drejtori menaxhues i Korporatës Energjetike të Kosovës, Arben Gjukaj ku u shqyrtuan shqetësimet e sindikalistëve, ndërsa u theksuan obligimet që ka Kosovo Çalik Limak Energy ndaj punëtorëve.
Ministri Beqaj tha se performanca individuale është mënyra më reale e vlerësimit të punëtorëve, ndërsa shtoi se MZHE garanton të gjithë punëtorët se në rast se vërtetohet se ka çfarëdo shkelje të të drejtave të tyre, kryesit e tyre do të kenë përgjegjësi.
Me këtë rast, kreu i MZHE-së ka ritheksuar angazhimin e Qeverisë që me rastin e privatizimit të Distribucionit të KEK-ut interesat e punëtorëve të mbrohen maksimalisht, gjë që edhe është arritur përmes sigurimit të kontratave trevjeçare.
Nga ana e tyre, sindikalistët kanë falënderuar ministrin për gatishmërinë që ka treguar për të dëgjuar shqetësimet e tyre dhe u pajtuan që shqetësimet e tyre ti adresojnë konform kornizës ligjore dhe institucionale.